
Kuvendi rinis punimet mesditën e së enjtes, pas një ndërprerjeje pothuajse dymujore, për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Seanca e nesërme ka në rendin e ditës miratimin e kalendarit të punimeve të Parlamentit deri më 8 korrik.
E ndërsa pjesa më e madhe e ligjvënësve aktualë nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re, pasi nuk janë konfirmuar si deputetë në 11 maj, sërish në seancë mund të ketë debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe demokratëve.
Në një mesazh drejtuar deputetëve, Gazment Bardhi me cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, kërkon nga ligjvënësit që të denoncojnë farsën elektorale të 11 majit.
“Nesër ora 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 Majit. Ju përshëndes!”, thuhet në mesazhin që Bardhi i ka drejtuar kolegëve deputetë të opozitës.
Bardhi ishte drejtues Politik i PD-së për Qarkun e Fierit, por arriti rezultatin më të dobët të kësaj partie në këtë qark, duke marrë në 11 maj vetëm 4 mandate. Madje me këtë rezultat, PD nuk arriti të fitojë as vendet që përcaktoheshin si të sigurta për shkak të listës së mbyllur.
Kreu demokrat Sali Berisha pritet të mbajë edhe peshën kryesore të denoncimeve gjatë ditës së enjte, sikundër drejtuesit politikë në qarqe do të paraqesin ato që i interpretojnë si fakte të manipulimit zgjedhor. Nuk dihet nëse nga mazhoranca do të pranojë që seanca të marrë këtë drejtim, pra denoncimet nga ana e opozitës të asaj që e konsideron si farsa e 11 majit, por nga PD mësohet se nuk përjashtohet bllokimi i foltores së Kuvendit.
Lini një Përgjigje