TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2025, 18:08

“Shaboni”, makthi i oligarkisë dhe politikës së vjetër; pse duhet mbështetur më 11 maj…

Shkruar nga Pamfleti

“Shaboni”, makthi i oligarkisë dhe politikës së

Një profil politik jashtë skemave të zakonshme, që ka zgjedhur të mos jetë pjesë e marrëveshjeve të heshtura

Në politikën shqiptare, gjithmonë ka pasur individë që kanë premtuar ndryshim. Disa u adaptuan shpejt. Të tjerë u tërhoqën. Por shumë rrallë ndodh që dikush të ruajë koherencën në qëndrim, edhe pasi hyn në lojë. Endri Shabani është një prej atyre pak përjashtimeve që ka zgjedhur të mos e ndryshojë drejtimin sapo i është hapur dera. Dhe kjo e ka bërë jo popullor në rrethet që janë mësuar t’i kontrollojnë gjërat nga prapaskena.

Për disa, ai është thjesht një emër i ri me një diplomë të huaj. Për të tjerë, është pengesë. Jo sepse ka pushtet real, por sepse ka kapacitet dhe vullnet për të kërkuar përgjegjësi atje ku të tjerët kanë heshtur. Jo sepse është më i zhurmshëm, por sepse është më i qartë.

Për të kuptuar pse Endri Shabani nuk është i mirëpritur nga sistemi i vjetër, mjafton të shohësh se ku e ka çuar ai fjalën e tij: jo në komente televizive, por në SPAK. Ai është ndër të paktët politikanë në vend që ka ndërmarrë veprime konkrete kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të pronës publike.    

1. Koncesioni i Portit të Vlorës – një projekt ku mbi 57 mijë m² tokë publike u kaluan në mënyrë të dyshimtë në duar private, nëpërmjet një kontrate të mbështetur nga qeveria. Shabani ka depozituar kallëzim penal, duke ngritur shqetësime për konflikt interesi dhe përfitim të padrejtë.       

2. Projekti “Vlora Marina” – pjesë e të njëjtës linjë interesash, ku prona publike në bregdet është dhënë për përdorim privat në dëm të komunitetit lokal. Edhe kjo është denoncuar nga Shabani si skemë e strukturuar për zhdukjen e pasurisë së përbashkët.        

3. Abuzimi me fondet IPARD të BE-së – Shabani ka denoncuar publikisht mënyrën se si ndihmat europiane për bujqësinë përfunduan në biznese ndërtimi dhe turizmi, në pronësi të njerëzve të afërt me pushtetin.

Në të gjitha këto raste, Shabani ka folur me dokumente. Pa slogane, pa propagandë. Dhe kjo e ka bërë të padëshirueshëm në një sistem ku heshtja është shpërblyer shumë më tepër se transparenca.

Së fundmi, emri i tij u përmend me ironi nga biznesmeni Gjergj Luca, në një episod të podcastit “N’kafe me Syçin” të mikut të tij Ilir Demaliaj. Luca tha: “Kur mora vesh se ‘Shaboni’ (referuar këtu Endri Shabanit) ka studiuar në Oxford, i thashë vajzës time që aderon të shkojë në Oxford: Lëre babë se s’është për ty Oxford-i… aty ka shku Shaboni”.

Kjo deklaratë, edhe pse e trumpetuar  si batutë, është në thelb një përpjekje për të zhvlerësuar një profil që nuk është pjesë e sistemit të zakonshëm. Por është pikërisht prania e njerëzve si Endri Shabani që e prish këtë ekuilibër të heshtur.

Një këshillë për oligarkun e peshkut:

Janë pikërisht këta tipa si “Shaboni”, që nuk shiten dhe nuk blihen me supa peshku, që mund të të çojnë përpara drejtësisë.

Dhe kjo i tremb. Sepse nuk janë as spektakolarë, as të përshtatshëm, dhe mbi të gjitha, nuk janë të manipuluar.

Pikërisht për këtë arsye, ai nuk është i mirëpritur në shumë tavolina. Sepse nuk jep garanci për heshtje, për pajtim, për lëshim. Politika shqiptare është ndërtuar mbi “mirëkuptime”, mbi shpërndarjen e territoreve të ndikimit, mbi “mos më prek, s’të prek”. Një figurë si Shabani, që e trajton ligjin si vijë ndarëse, jo si pikë reference për interpretim të lirë, është problem.

Ai nuk është perfekt. Ka mospajtime ndaj qasjeve të tij, ndaj stilit, ndoshta edhe ndaj ritmit. Por është fakt që ai nuk ka hyrë në politikë për të marrë ndonjë post. Deri tani nuk ka pranuar poste, nuk ka hyrë në qeveri, dhe nuk është lidhur me parti të mëdha për përfitim afatshkurtër.

Në fund të ditës…në Shqipëri, nuk të sulmojnë pse je i dobët. Të sulmojnë kur nuk të kontrollojnë dot. Endri Shabani nuk ka shumë pushtet formal. Por ka diçka më të rrallë: pavarësi. Dhe kjo, në një sistem të ngritur mbi pazare, është e padurueshme. /Pamfleti

Lini një Përgjigje