Politike 5 Prill 2023, 13:26

SHBA dhe BE ultimatum KQZ: Kujdes blerjen e votës, 14 Maji test i mirëfilltë për progresin e demokracisë shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
SHBA dhe BE ultimatum KQZ: Kujdes blerjen e votës, 14 Maji test i
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka reaguar pas takimit të zhvilluar me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann.

Celibashi përmes një reagimi në Twitter bën me dije se në fokus të takimit ishin zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në këtë takim, ambasadorja e SHBA dhe BE kanë theksuar se këto nuk janë thjesht zgjedhje për pushtin lokal, por test për ecurinë e demokracisë në Shqipëri.

“Në KQZ sot me Ambasadoren e BE në Shqipëri, Christianne Hohmann dhe Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, bashkëbiseduam mbi përgatitjet e zgjedhjeve vendore të 14 Majit, shpërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë, dukurinë e shitblerjes së votës, transparencën e financimeve në zgjedhje dhe pastërtinë e figurës së kandidatëve që do të garojnë për t’u zgjedhur.

Ambasadoret Hohmann dhe Kim theksuan se zgjedhjet e 14 Majit nuk janë thjesht për të zgjedhur qeverisjen vendore, por një test i mirëfilltë për progresin e demokracisë shqiptare dhe se të gjithë sytë e partnerëve ndërkombëtarë janë fokusuar mbi këto zgjedhje.

Theksova dyfishimin e institucioneve shtetërore raportuese në KQZ, ndalimin e mbi 20 aktiviteteve publike, trefishimin e numrit të sanksioneve nga KQZ dhe garantova Ambasadoret Kim dhe Hohmann se KQZ do të vijojë të mbetet e barazlarguar nga politika dhe do të veprojë vetëm në zbatim të ligjit.

Falenderova Ambasadoren e Bashkimit Europian dhe Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe kontributin e tyre për institucionin.”, shkruan Celibashi.

14 maji christiane hohmann yuri kim