Ferdinand Dervishi, kandidat i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, tha se Rama ka hedhur në terren gjithçka në këto zgjedhje, duke theksuar se do shohim infiltrim të krimit në procesin e zgjedhjeve.
Sipas Dervishit krimi lexon mimikën e politikës, dhe pas deklaratës së Ramës që ata që s’votojnë PS-në të mos votojnë, krimi do përpiqet të blejë vota ose të indimidojë votuesit.
Dervishi thekson se reagimi i Ambasadës Amerikane erdhi si përgjigje ndaj deklaratës së Ramës. Ai thotë se situata do jetë shumë keq në disa qarqe, si Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Lezhë.
“Gjithçka nis nga pasiguria e Ramës për të fituar këto zgjedhje, ka hedhur në terren gjithçka, është përsëritje e situatës së 2013-ën. E kemi akuzuar Ramën për ndarje të pushtetit me krimin, menjëherë pas zgjedhjeve të 2013-ës. Në këtë fushatë do presim dhe do shohim histori të infiltrimit të krimit në procesin zgjedhor.
Janë bërë publike disa shifra, janë referuar 123 në SPAK, nga të cilat janë regjistruar 35, që kanë nevojë për hetim. Kallëzime nga prokuroritë e rretheve janë shumë pak. SPAK ka nisur vetë 8 hetime kryesisht, që mund të jenë më të rënda. Por s’do të thotë që s’do kemi probleme nga krimi në zgjedhje.
Ka një problem shumë të madh në Shqipëri, krimi lexon mimikën e politikës, s’ka nevojë t’i thuash bëj këtë punë. Kur del kryeministri dhe thotë nëse s’votoni PD-në, mos dilni nga shtëpia, krimi e ka marrë sinjalin. Krimi e ndihmon politikën me anë të blerjes së votës dhe intimidimit. T’u thuash shqiptarëve që rrini në shtëpi, mos dilni fare, ky është krim zgjedhor.
Menjëherë erdhi përgjigjja e ambasadës amerikane, mos lejoni të tjerët të votojnë për ty. Në Durrës do jetë shumë keq situata, në Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, edhe në Lezhë, do ketë tentativa nga krimi për blerje vote dhe intimidim.” , tha Dervishi MCN Live.
Lini një Përgjigje