TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Maj 2025, 13:28

The Washington Post: Sali Berisha synon fitoren; arkitektët e fushatave të presidentit amerikan zbarkojnë në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Chris LaCivita dhe Paul Manafort këshillojnë fushatën e Berishës përballë Ramës, ndërsa lobistët republikanë kërkojnë heqjen "non grata"-s në SHBA

The Washington Post: Sali Berisha synon fitoren; arkitektët e fushatave
Chris LaCivita, i cili shërbeu si bashkë-menaxher i fushatës së fushatës së suksesshme presidenciale të Donald Trump në vitin 2024, me Sali Berishën, Tiranë, Shqipëri, 10 shkurt 2025. (AP Photo)

Disa prej strategëve kryesorë të fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar në Shqipëri, në një përpjekje për të ndihmuar kandidatin "trumpian" Sali Berisha në zgjedhjet e kësaj fundjave.

Në ekipin e Berishës janë përfshirë Chris LaCivita, ish-menaxher i fushatës së suksesshme presidenciale të Trump në 2024, Tony Fabrizio, sondazhisti i njohur i Trump, dhe Paul Manafort, ish-kryetar i fushatës së Trump në 2016, i dënuar më parë për lobim sekret në favor të presidentit pro-rus të Ukrainës.

Ky grup po punon për ish-kryeministrin dhe ish presidentin Sali Berisha, kreun e Partisë Demokratike në opozitë, i cili po sfidon kryeministrin Edi Rama për t'i kthyer demokratët në pushtet, ndërkohë që vetë Berisha është në pritje të gjykimit për akuza korrupsioni.
Berisha, i cili shpreson se administrata e re amerikane do të heqë sanksionet që e ndalojnë hyrjen e tij në SHBA, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 2-vjeçare me vlerë 6 milionë dollarë me firmën lobuese amerikane "Continental Strategy", e afërt me republikanët.

Në të njëjtën kohë, edhe Rama ka lidhjet e veta me aleatë të Trump-it. Në dhjetor, kabineti i Ramës miratoi negociatat me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Trump, për ndërtimin e një resorti luksoz 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.

Gjatë fushatës, Berisha është paraqitur si figurë e ngjashme me Trump-in, duke pretenduar se është viktimë e një skeme politike të mbështetur nga miliarderi George Soros. Fillimisht, ai nisi fushatën me sloganin "Make Albania Great Again" (Ta bëjmë Shqipërinë sërish të madhe), por më vonë e ndryshoi në "Shqipëria madhështore" për të shmangur keqinterpretime politike.

Në shumë vende, lidhjet me Trump-in janë parë si avantazh elektoral, ndërsa në vende të tjera janë kthyer në problem. Në Argjentinë dhe El Salvador, figurat e afërta me Trump kanë shënuar fitore politike të mëdha.

Sipas PD-së, angazhimi i amerikanëve është një arritje e rëndësishme. Partia thotë se konsulentët po ndihmojnë në strategjinë dhe komunikimin publik. LaCivita dhe Manafort janë shfaqur publikisht në ngjarjet elektorale të Berishës.

Ndërkohë, kontrata e PD-së me Continental Strategy ka shkaktuar debate dhe ka çuar në hetime nga SPAK-u. Firma lobuese është paguar nga fondacioni "Make Albania Great Again", i krijuar nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Nuredin Seci.

Sali Berisha u shpall "non grata" nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, për akuza të korrupsionit të rëndë gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2013. Ai është gjithashtu në proces gjyqësor për korrupsion lidhur me privatizimin e tokave publike.

Në janar, Berisha deklaroi se zgjedhja e Trump ishte një mrekulli për njerëzimin dhe tha se do t'i kërkonte administratës së re të rishikojë shpalljen e tij "non grata". LaCivita e ka cilësuar Berishën si një "mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara" dhe e ka krahasuar atë me Trump-in si viktima të persekutimeve politike./Përshtati Pamfleti nga The Washington Post

the washington post sali berisha chris la civita

Lini një Përgjigje