TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Janar 2026, 13:12

Shqipëria nën 'pushtetin' e ujit: 1 i vdekur në Durrës, situatë e rënduar në të gjithë vendin

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria nën 'pushtetin' e ujit: 1 i vdekur në
Shqipëria nën ujë /

 

Reshje intensive, rritje të rrezikshme të lumenjve dhe dëme të mëdha materiale në disa qarqe; autoritetet në terren ndërsa hetimet vijojnë për humbjen e jetës së 54-vjeçarit në Durrës...

Përmbytjet e këtyre ditëve, nuk janë një surprizë meteorologjike. Ato janë një provë stresuese për një shtet që prej vitesh e di se nuk është gati. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëroi me kohë reshje intensive, prurje të larta në Drin-Bunë, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe rrezik të shtuar për përmbytje në qarqe kyçe si Vlora, Durrësi, Shkodra, Lezha dhe Fieri. Paralajmërimi ishte teknik, i qartë dhe publik. Reagimi institucional ishte, si zakonisht, i vonuar dhe i fragmentar.

Në Durrës ranë 44.6 mm shi në 24 orë, me intensitet ekstrem prej 23 mm në vetëm 15 minuta. Shifra të larta, por jo të paprecedenta. Vetë meteorologët kujtojnë se qyteti ka përballuar në të kaluarën deri në 180 mm shi në 24 orë. Problemi nuk është sasia e reshjeve, por mungesa kronike e kanaleve kulluese funksionale dhe një sistem urban që nuk e përballon më as një stuhi mesatare.

Pasojat u panë menjëherë: rreth 800 banesa dhe objekte u përmbytën në Durrës, qindra persona u evakuuan, ndërsa rrugët kryesore u kthyen në kanale uji. Në Shkodër dhe Lezhë u përmbytën mijëra hektarë tokë bujqësore, uji rrethoi banesa dhe rrëshqitjet e dherave bllokuan akse të rëndësishme. Në Vlorë, Vjosa kaloi kuotën kritike, përmbyti qindra hektarë tokë dhe përmbyti dhjetëra shtëpi, duke detyruar evakuime për njerëzit dhe bagëtitë. Në Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Dibër u përsërit i njëjti skenar: ujë, izolim, ndërprerje energjie, dëme materiale.

Institucionet reaguan me Forcat e Armatosura, policinë, pompat, borëpastrueset dhe thirrjet për kujdes. Një reagim i domosdoshëm, por gjithmonë pas faktit. Ajo që mungon nuk është angazhimi emergjent, por parandalimi afatgjatë. Shqipëria nuk përmbytet sepse bie shi, por sepse infrastruktura urbane dhe rurale nuk është projektuar, mirëmbajtur dhe mbrojtur për realitetin klimatik që tashmë dihet.

Argjinaturat çahen, kanalet mbulohen nga ndërtimet, përrenjtë dalin nga shtrati, lumenjtë ngushtohen nga betonizimi, ndërsa rrjetet e kanalizimeve mbingarkohen që në minutat e para të reshjeve intensive. Këto nuk janë pasoja të motit ekstrem, por të planifikimit të dobët, të investimeve të copëzuara dhe të një modeli zhvillimi që ka injoruar rrezikun hidrologjik.

Viktima e Durrësit, e gjetur e mbytur në një kanal kullues, është kujtesa më e rëndë se përmbytjet nuk janë thjesht problem ekonomik apo estetik. Janë çështje jete. Dhe çdo herë që përmbytjet përsëriten, bëhet më e qartë se problemi nuk është mungesa e parashikimit, por mungesa e përgjegjësisë.

Reshjet do të vazhdojnë. Prurjet do të përsëriten. Pyetja është nëse shteti do të sillet ende sikur këto janë “ngjarje të paparashikueshme”, apo do të pranojë se përmbytjet në Shqipëri janë tashmë një dështim i strukturuar i qeverisjes publike./Pamfleti

shqipëria nën pushtetin e ujit

Lini një Përgjigje