TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Prill 2026, 10:25

Shtyhet seanca gjyqësore e themelit për Erion Veliajn dhe 29 të pandehurit

Shkruar nga Pamfleti

Shtyhet seanca gjyqësore e themelit për Erion Veliajn dhe 29 të

Seanca gjyqësore e themelit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë është shtyrë për ditën e premte në orën 09:00. Në seancën e sotme, Veliaj nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Po ashtu, edhe Ajola Xoxa nuk mori pjesë fizikisht në seancë, duke u përfaqësuar nga avokatët e saj. Të pranishëm në sallë ishin dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të shfuqizojë masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” për Ajola Xoxën.

Kërkesa për heqjen e këtyre masave ishte paraqitur nga vetë Xoxa, e cila argumentoi se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon mundësi lëvizjeje jashtë vendit.

Erion Veliaj ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes tyre: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, futje e sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, pjesa më e madhe e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv, i dyshuar në 9 raste, ku pretendohet se Veliaj ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani të ndryshme, të cilat më pas kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Edhe Ajola Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, këto lidhen me marrëdhënie me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Ndërkohë, pas përfundimit të seancës së sotme, avokati Plarent Ndreca u shpreh për mediat se ‘kryebashkiakut të Tiranës nuk po i jepet mundësia për t’u mbrojtur’. Ai sqaroi se Veliaj nuk u paraqit në seancën e sotme pasi është duke u njohur ende me dosjen.

“Është një proces masiv. Erion Veliajt nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur. Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen është lidhje emocionale dhe s’ka lidhje me rolin e prokurorit.

S’ka strategji për ta shtyrë procesin, por për të njohur çështjen. Unë ende jam i vetëm në këtë proces dhe do të kemi një ekip ekspertësh. Prokuroria ka pasur në dispozicion infrastrukturën, burimet njerëzore për të hetuar çështjen dhe ne na kërkohet të japim shpjegime, ndërkohë që nuk na jepet dosja.

Jemi të vendosur që çështja të bëhet publike dhe live. Zoti Veliaj është i vendosur për të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve”, tha Ndreca.

 

erjon veliaj seance gjykata e posaçme spak

Lini një Përgjigje