TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Prill 2026, 08:27

​Sot, 17 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Shkruar nga Pamfleti

​Sot, 17 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Sot Shqipëria shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), një moment kyç në historinë moderne të vendit dhe në orientimin e tij strategjik drejt strukturave euroatlantike.

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e Aleancës, pas përfundimit të procesit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, që është edhe depozitari ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Anëtarësimi në NATO përbën një nga arritjet më të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare, duke përmbushur një objektiv strategjik afatgjatë dhe duke forcuar ndjeshëm pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare. Ky proces ishte rezultat i një serie reformash të thella politike, ligjore dhe ushtarake, të ndërmarra në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP), të cilat synonin përafrimin me standardet e Aleancës.

Vendimi për të ftuar Shqipërinë në NATO u mor më 3 prill 2008 në Samitin e Bukureshtit, ku krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare miratuan zgjerimin e Aleancës. Pas kësaj, më 25 prill 2008 nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësim, të cilat përfshinë një gamë të gjerë çështjesh politike, ushtarake, të sigurisë dhe ligjore. Nëpërmjet takimeve intensive me ekspertët e NATO-s, Shqipëria konfirmoi gatishmërinë dhe kapacitetet për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi.

Një hap i rëndësishëm institucional u shënua më 9 korrik 2008, kur vendet anëtare të NATO-s nënshkruan Protokollet e Anëtarësimit për Shqipërinë dhe Kroacinë në selinë e Aleancës në Bruksel. Pas përfundimit të procesit të ratifikimit, Shqipëria u bë zyrtarisht pjesë e NATO-s më 1 prill 2009. Vetëm pak ditë më vonë, më 4 prill, vendi u paraqit për herë të parë si anëtar me të drejta të plota në Samitin e Strasbourg/Kehl, ndërsa më 7 prill u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e NATO-s.

Procesi i integrimit u shoqërua me reforma të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes, duke synuar transformimin e Forcave të Armatosura në një forcë më të vogël, plotësisht profesionale dhe të ndërveprueshme me strukturat e Aleancës. U hartuan dokumente strategjike dhe u përshpejtua modernizimi i kapaciteteve, ndërkohë që u ndërmorën masa për reduktimin dhe asgjësimin e municioneve të tepërta.

Pas anëtarësimit, Shqipëria ka rritur angazhimin e saj në operacionet ndërkombëtare të NATO-s, veçanërisht në Afganistan në kuadër të misioneve ISAF dhe “Resolute Support”, ku qindra ushtarakë shqiptarë kanë shërbyer me profesionalizëm. Njëkohësisht, vendi ka kontribuar në misionin KFOR në Kosovë dhe ka mbështetur bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot, 17 vite pas anëtarësimit, Shqipëria vijon të jetë pjesë aktive e Aleancës, duke kontribuar në përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ndërsa anëtarësimi në NATO mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.

Lini një Përgjigje