Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeputetë të PE.

Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri-Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Dokumenti nuk u votua për shkak të mungesës së konsensusit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Edhe pas diskutimeve të zhvilluara në mbledhjen e komitetit, dy palët mbajtën qëndrime të ndryshme, duke mos arritur të bien dakord për një tekst të përbashkët me Parlamentin Evropian.
Në një deklaratë për mediat, selia blu pretendon se "Partia Socialiste vendosi të refuzojë më shumë se 30 amendamente të propozuara nga Partia Demokratike, që morën edhe mbështetjen e eurodeputetëve".
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, thotë PD.
Ndërsa Partia Socialiste ka reaguar pas votimit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian në Strasburg, duke akuzuar deputetët e Partisë Demokratike se kanë mbajtur një qëndrim kundër rekomandimeve për procesin e integrimit europian të vendit.
Në deklaratën e saj, PS pretendon se përfaqësuesit e opozitës kanë votuar sipas një udhëzimi politik të Sali Berishës, duke e cilësuar këtë qëndrim si të papërputhshëm me interesin e Shqipërisë për avancimin drejt Bashkimit Europian.
Socialistët theksojnë se deputetët e tyre, së bashku me eurodeputetët, kanë mbështetur rekomandimet e paraqitura në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa kundërshtojnë akuzat e PD-së ndaj mazhorancës për përmbajtjen e dokumentit të miratuar. Sipas PS-së, teksti i votuar mbështetej mbi dy dokumente themelore: rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e integrimit.
Partia Socialiste argumenton se nuk paraqiti amendamente në dokumentin e propozuar, pasi sipas saj, përsëritja e pikave të këtyre rezolutave nuk do të sillte vlerë të shtuar dhe do të cenonte logjikën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. PS nënvizon gjithashtu se ka mbështetur disa prej amendamenteve të propozuara nga deputetët demokratë, por ka kundërshtuar ato formulime që, sipas saj, deformonin balancën e dokumentit dhe mohonin progresin e njohur nga institucionet europiane.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeputetë të PE.
Deklarata nuk ka arritur të marrë shumicën e votave nga delegacioni shqiptar, pasi votat u ndanë të të tillë mënyrë: 7 vota pro PS dhe 7 kundër PD. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve.
Dallimet mes mazhorancës dhe opozitës u shfaqën edhe gjatë seancave të një dite më parë, kur kryetarët e grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi, prezantuan para eurodeputetëve qëndrime të ndryshme për zhvillimet politike dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri.
Lini një Përgjigje