TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Korrik 2025, 10:26

Thellohet kriza e koalicionit Lapaj-Shabani, këshilltari bashkiak largohet nga “Nisma Thurje”

Shkruar nga Pamfleti
Thellohet kriza e koalicionit Lapaj-Shabani, këshilltari bashkiak largohet
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” i Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” i Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit ka hyrë në një krizë të thellë. Pas Pano Sokos, është larguar nga “Nisma Thurrje” këshilltari bashkiak në Bashkinë e Korçës, Klajdi Pllaha.

Në një postim në rrjetet sociale, Pllaha shkruan se po largohet sepse sipas tij ka humbur “idealizmi” që kishin në parti.

“Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje.”– shkruan këshilltari bashkiak.

Thellohet kriza e koalicionit Lapaj-Shabani, këshilltari bashkiak largohet
Klajdi Pllaha


Ai thotë se kur u angazhua në vitin 2021 për herë të parë me Nismën Thurje, e bëri me idealizëm, sepse besonte “në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin”.

Pllaha shton se edhe pse ka zgjedhur të largohet, nuk pendohet për këto pesë vite angazhim.

Edhe Rigerta Loku Tushaj ka njoftuar largimin nga partia, dhe tha se do të vazhdojë angazhimin e saj si këshilltare e pavarur në Këshillin Bashkiak të Lezhës, duke shprehur indinjatën për përplasjet lidhur me mandatin e vetëm që fitoi koalicioni “Shqipëria Bëhet”.

Një ditë më parë nga Nisma Thurrje u largua edhe Pano Soko, i cili në një postim në rrjetet sociale i konsideroi të turpshme zhvillimet e fundit brenda koalicionit dhe emërimin si deputete të kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit.

 

Lini një Përgjigje