
Nga Mali i Zi, ku mori pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe BE mbi Planin e Rritjes, kryeministri Rama i shtriu sërish dorën grupit të Berishës, për të bashkëpunuar sa i takon “superkomisonit” që synon të kontrollojë SPAK-un.
Rama tha se sa i takon kësaj çështje, duhet një dakordësi më e gjerë duke përfshirë këtu dhe grupin e opozitës që sipas tij duhet të lëri pas zhurmën dhe të punojë për të arritur konsensus për këtë çështje.
“Nuk jam në dijeni, se është depozituar draft rezoluta në parlament, do të ketë procesin e saj, njësoj si kemi bërë me reformën në drejtësi, do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Për çështje të caktuara kërkohet një konsensus edhe më i gjerë. Edhe sepse në fund të ditës, të gjitha partitë nuk e diskutojnë që destinacioni është BE. Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës”, tha Rama
Nga ana tjetër, kryeministri hodhi poshtë akuzat se rezoluta e propozuar prej Partisë Socialiste, kundër korrpsionit, ka si qëllim kapjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Ajo do të duhej të kalonte përmes ndryshimeve të Kushtetutës. Si mundem unë të kem një synim të tillë, kur isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetje pa ekuivokë. Dhe deri sot nuk e kemi hapur gojën që të kritikojmë SPAK-un, i cili si çdo institucion tjetër ka problemet e veta. Është depozituar draft-rezoluta dhe do të vijojë procedurën e vetë. Siç kemi bërë me reformën në drejtësi ne do ta bëjmë pjesën tonë, por në këtë rast kërkohet dhe një konsensus më i gjerë në sallën e parlamentit”, tha Rama.
Lini një Përgjigje