Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbaken, ka mbrojtur vendimin e tij për të lënë në stol disa prej yjeve të skuadrës, mes tyre Erling Haland dhe Martin Odegard, në ndeshjen ndaj Francës. Pavarësisht humbjes së thellë 4-1 ndaj "Gjelave", tekniku norvegjez beson se zgjedhja e tij ishte e duhura për objektivat afatgjatë të ekipit.
Disfata e la Norvegjinë në vendin e dytë të grupit, një pozicion që, sipas llogarive, i ofron një rrugëtim më të favorshëm në fazën me eliminim direkt. Megjithatë, nordikët mund të përballen me Brazilin në raundin e 1/32-ave të kompeticionit.
I pyetur për këtë mundësi, Solbaken u shpreh i qetë:
"Një ndeshje e mundshme me Brazilin? Ata nuk na kanë mundur kurrë në histori. Megjithatë, nuk është momenti të mendojmë për këtë. Përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Bregut të Fildishtë, një nga ekipet më të forta fizikisht. Besoj se Brazili do të kualifikohet, por më pas do të shohim çfarë do të ndodhë", deklaroi ai.
Trajneri norvegjez iu përgjigj edhe kritikave për lënien në stol të dy futbollistëve më të njohur të ekipit, duke theksuar se prioriteti i tij është suksesi sportiv dhe jo spektakli.
"E kuptoj se ka njerëz që kanë paguar shumë para për të parë Odegardin dhe Halandin. Por ne duam të qëndrojmë në këtë turne sa më gjatë të jetë e mundur. Jam këtu për të marrë vendimet më të mira që na ndihmojnë të ecim përpara, jo vetëm për t’u argëtuar. Tani duhet të ndërrojmë hotel dhe kemi një ditë më pak pushim, ndaj edhe kjo ndikoi në vendimin tim", përfundoi Solbaken.
Lini një Përgjigje