Kryeminsitri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e rëndë në veri të Kosovës ku mëngjesin e sotëm u vra një efektiv policie dhe një tjetër u plagos.
Rama kërkon ndërhyrjen e SHBA dhe BE për të qetësuar situatën dhe rikthimin e Serbisë e Kosovës në tryezën e dialogut.
"Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.", shkruan Rama në Twitter.
Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën…
— Edi Rama (@ediramaal) September 24, 2023
Ju rikujtojmë se një sulm me armë ka ndodhur në veri të Kosovës në Leposaviç në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku ka mbetur i vrarë një polic dhe dy të tjerë janë plagosur. Nga sulmi ka humbur jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter.
Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 në veri të Mitrovicës, ku njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa.
Efektivët janë nisur në drejtim të vendngjarjes dhe sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, kanë hasur në rezistencë dhe janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore. Armët kapën tre policë.
Njësitë policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga vendngjarja dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut.
Për rastin ka reaguar ashpër SHBA, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, etj, të cilët e quajnë sulm të orkestruar.