
Në fjalën e mbajtur në atë që konsiderohet si festa e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, Kryeministri Edi Rama i konsideroi si të paqena akuzat e hedhura nga opozita për manipulimin e zgjedhjeve përmes presionit apo përmes skemës që quajtur ‘treni bullgar’.
“Avazi është siç e kemi ditur dhe siç e paralajmërova unë me precizionin e atij që tregon një film që e ka parë dhjetë herë. Ne morëm thjesht frytet e një pune të gjatë, këmbëngulëse, të programuar me një kalendar që pas fitores së zgjedhjeve vendore.
Këto ditë universi i tyre paralele është mbushur me thasë re të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura.
Zarfe votash që mësyjnë nga të katër anët që mësyjnë si tufa zogjsh prej letre, trena bullgar që përshkojnë malet dhe luginat e Shqipërisë për të shumëfishuar votat regjimit, vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë shtet dhe me licencat imagjinare të shtetit parti, dhjetra deputetë të rinj dhe të reja këtu që kanë dalë nga shpellat e krimit.
Ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu, avazi është siç e kemi ditur dhe siç e paralajmërova unë me precizionin e atij që tregon një film që e ka parë 10 herë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje