
PS feston te Pallati i Brigadave fitoren më 11 maj...
Partia Socialiste ka festuar këtë pasdite fitoren në zgjedhjet e 11 majit. Nën kujdesin e kreut të saj Edi Rama, u zhvillua një festë në ambientet e Pallatit të Brigadave. Por edhe pse ishte ditë feste, në fakt më shumë ngjante si vaki.
Fjalën e mori ‘lideri’, i cili në 55 minuta fjalim, nuk buzëqeshi në asnjë çast. Rama ishte gjatë gjithë kohës si i ngrysur, teksa shumica e fjalimit u fokusua te opozita. Po ashtu edhe të pranishmit e tjerë dukeshin të mërzitur.

Rama nuk kurseu sulmet, akuzat dhe ofendimet ndaj opozitës, liderit të saj dhe përfaqësuesve të tjerë. Ai i akuzoi se jetojnë në një univers paralel. Sipas tij, për PD-në në Shqipëri ligjin e bën krimi, shqiptarët janë blerë dhe PS vetëm i blen votat dhe nuk fiton asnjëherë.
“Të tjerët nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve, kjo i ka bërë humbës kronikë, ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa alternativë sfiduese. Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me fakte dhe jetojnë në një univers paralel, ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë ndërsa ndërkombëtarët thuajse të gjithë të shitur. Zgjedhjet i fitojnë ata gjithnjë e më thellë, ndërsa ne i vjedhim gjithnjë e më shumë”, tha ai.
Më tej Rama sulmoi drejtpërdrejt LaCivitën dhe Berishën, duke thënë se ‘madhështorët’ i ofruan shqiptarëve një kufomë politike me kapelën e Trump.
"Ua kemi ne fajin madhështorëve që u mungojnë 200 mijë vota se katër vite më parë? Këtë herë i ofruan shqiptarëve për kryeministër një kufomë ambulante me kapelën e Trump dhe u premtuan një magji të madhe, si në atë lojën e fëmijëve ‘fluturon-fluturon gomari’… dhe në fund nuk fluturoi. E ngjitëm PS-në në shifrën rekord të 856.813 votave – afërsisht 88 mijë më shumë se në 2021 – duke i katërfishuar jashtë kufijve ato 35 mijë vota më pak brenda vendit, krahasuar me 2021. Përveç mandatit të 9-të të Vlorës, që për shumë pak mund ta kishim marrë me shqiptarët brenda vendit, të 82 mandatet e tjera i kemi marrë këtu, ku kemi rifituar besimin e shumicës absolute – siç e parashikuan të gjitha sondazhet. PS kaloi kufirin e 50%, duke u ngjitur 4 shkallë e gjysmë, nga 48.7% në 53.2%, falë edhe një organizimi më të mirë kapilar në territor sesa çdo herë tjetër", tha ai.

Sipas tij, për sa kohë opozita do të jetë e kapur në kthetrat e një “kryeplaku”, s’do të ketë një opozitë sfiduese. Pra, Rama vijoi me goditjet ndaj liderit të opozitës.
“Për fat të keq, politika shqiptare do të jetë e ndarë në dy universe paralele, universi ynë ku Shqipëria përparon, gabon, ecën dhe bie dhe rritet, forcohet hap pas hapi dhe ngjit shkallët drejt majës në BE. Në atë Shqipëri të pakicës, kufiri mes fakteve dhe opinioneve është fshirë dhe laj-thaj janë 40 vetë, pa ngurruar të shpikin dhe të akuzojnë pa asnjë provë dhe t’i vënë diagnoza popullit si i sëmurë, i shitur dhe i trembur sepse vendi voton PS. Lajmi i mirë është se shumica nuk u beson më dhe kur i dëgjon, i dëgjon për të kaluar kohën, dhe i keqi është se kjo nuk ka për të ndryshuar. Duhet që të ndryshojë mendësia e të bërit politikë. Sa kohë opozita do të jetë e kapur në kthetrat e një kryeplaku që s’ka lënë të zeza pa bërë, ky vend s’do të ketë një opozitë sfiduese për ne, por një kënetë zhgënjyese edhe për ndjekësit e saj që në 11 maj qëndruan edhe në shtëpi. Sepse ne votat tona i kemi marrë përsëri; këto 200 mijë që mungojnë janë ata që qëndruan në shtëpi. Po të ishte Luli, do t’i kishte rënë shkurt – do të thoshte që kanë vdekur”, tha ai.

Rama u ndal dhe te emrat që humbën në këto zgjedhje. Ai i “ngushëlloi” duke thënë se ata do të vijojnë të japin kontribut për qeverinë dhe Partinë Socialiste, duke u premtuar se nuk do të “mbeten rrugëve”, por do të gjendet një vend edhe për ta.
"Dua t’u them atyre që në shtator nuk do të kthehen në Parlament se unë ua mirëkuptoj mërzinë për garën individuale. Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur, edhe kur luan me fëmijët me top ke një moment mërzie nëse kupton që ti nuk je më ai i pari dhe ata nuk janë më të vegjël dhe ti i munde. Por i siguroj se nëse do ta shohin humbjen e vendit të punës si një mundësi të re personale dhe profesionale në një tjetër vend pune, po në shërbim të të njëjtave qëllime të përbashkëta, si fitues të mandatit historik të 11 majit, jo vetëm do të jenë të dobishëm, por do ta pasurojnë karrierën e tyre politike dhe profesionale dhe nëse do të duan të rikthehen në Kuvend, të mund të garojnë përsëri në të ardhmen", tha ai.
Në fund, Rama u ndal dhe te drejtësia. Ai nuk e fshehu pakënaqësinë, duke thënë se ka shumë çështje që duhet të përmirësohen, teksa sa i takon SPAK-ut, premtoi se do të garantojë pavarësinë e saj. /Pamfleti
Lini një Përgjigje