Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duket se nuk ka vënë mend, pavarësisht reagimit masiv ndërkombëtar mbi sulmet ndaj mediave kritike. Ai linçoi publikisht dy ditë më parë faqet “Lolita” dhe “JOQ”, faqe të cilat e kritikojnë për punën e tij. Veliaj i akuzoi si gjobëvënës dhe sot pati shumë reagime. Por ai nuk ka vënë mend dhe ka vijuar sulmet.
“Kjo është një histori që të gjithë e dimë, por askush nuk flet. Ashtu siç kemi pasur trafikantë drogë që kanë pasur televizion. Koncepti ka qenë që të gjithë e dimë po asnjë nuk guxon që të flasë. Nuk kam asnjë pishman që jam i pari që kam folur për problematika të kësaj natyre sepse një trafikant droge nuk mund të jetë konsull nderi, nuk mund të ketë televizion, - televizioni përdor valët publike, konsulli i nderit përfaqëson Republikën e Shqipërisë - dhe besoj se e kam ndërtuar reputacionin që unë nuk tërhiqem nga beteja të tilla. E njëjta gjë po ndodh tani me portalet. Vërtet nuk vënë një kapuç, por nuk ka rëndësi nëse kapuçi është prej leshi apo digjital. Nëse kapuçi thotë: “o jetën, o kuletën”, ose nëse kapuçi thotë “Lolita dhe “Jeta Osh Qef", dhe në momentin që ti shkon në një supermarket, vë produkte false, pastaj i nxjerr sikur i ka supermarketi, kërkon para nga supermarketi, nxjerr reklamën e supermarketit dhe pastaj supermarketi është më i miri pasi ka paguar gjobën, kjo nuk shkon, të paktën jo në qytetin që e drejtoj unë. Ne nuk jemi as Siçilia e viteve ’90-të, as Napoli i viteve ‘90, madje as Shqipëria e viteve ‘90. Jetojmë në Shqipërinë e vitit 2023. Të thuash në Muajin e Ramazanit që unë jam Erland Dalliu, nipi i Ibrahim Haxhi Hafiz Dalliut, një njeriu shumë të respektuar, klerik i cili ka promovuar besimin në Shqipëri, ka ndërtuar shkollat e para, dhe kthehesh në një hajdut ordiner, që iu shkon kompanive të autobusëve dhe u thua do ta nxjerr sikur ka rënë zjarr në autobus, por në fakt është tymi i marmitës, ndaj paguaj lekët, kjo është fyerje.
Të bësh të njëjtën gjë tek faqja Lolita dhe të atashohesh, njëra ka LSI-në, tjetri ka PD-në, njëra me Zenin, tjetri me Vojon, këto janë muhabete thellësisht banale. Ashtu siç pata guximin që, edhe për mediat televizive të them që një trafikant droge nuk mundet t’i vërë gjoba kryetarit të Bashkisë, Qeverisë apo biznesit, me të njëjtën kurajo i kam kërkuar edhe Prokurorisë, edhe Policisë, - e më rezulton që janë vënë në lëvizje, - që edhe zonja Anisa Caka, por edhe zoti Erland Dalliu, të hetohen për gjobat që sistematikisht vënë në qytetin që unë drejtoj. Kjo është e patolerueshme. E kuptoj që për momentin i mbron Zeni dhe Vojo, i të gjitha historitë që po ndodhin në kryeqytet. Por çdo gjë është me masë, e keni kaluar masën. Është haram kjo që po bëni. Po vidhni njerëzit. U shkoni supermarketeve, njerëzit kanë tabelë exel për gjobvënësit. Le të jetë fushata. Nuk dua ta kem mirë më ta. Nuk pyes fare që është fushata le t'i humb 5 vota. Unë me maskarenjtë dhe gjobëvënsit nuk dua ta kem mirë”, tha ai.