TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shtator 2025, 07:52

Vendimi i parë nga Qeveria e re/ Edi Rama vulos në mesditë shkarkimin e Erion Veliajt

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i parë nga Qeveria e re/ Edi Rama vulos në mesditë

Edi Rama vulos sot në mesditë shkarkimin e Erion Veliajt si Kryebashkiak i Tiranës. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërsa nuk dihet nëse Edi Rama do të zgjedhë vetë të firmosë vendimin, apo duke e deleguar atë të zv.Kryeministrja Belinda Balluku, sikundër ka ndodhur edhe më parë, në rastet e mbledhjeve të Qeverisë.

Vendimi për shkarkimin e Veliajt pritet të jetë i pari nga Qeveria e re e Edi Ramës, në mandatin e 4-t rradhazi, pavarësisht se pas betimit në Presidencë, pati një mbledhje por pa marrë vendime.

Mbledhja vjen një ditë pasi Prefekti i Tiranës i njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas ligjit, është qeveria që merr vendimin përfundimtar në këtë proces.

Pasditen e së martës, këshilltarët bashkiakë të PS dhe PD bashkuan votat duke propozuar shkarkimin e Veliajt nga posti i Kryebashkiakut. Vendimi erdhi pasi në 11 shtator, nga Asambleja Kombëtare e PS-së, udhëzoi këshilltarët socialistë që të miratonin shkarkimin e Veliajt. Nuk vonoi shumë dhe 50 këshilltarë bashkiakë, nga PS dhe PD, u bashkuan duke miratuar vendimin, që pritet të vuloset formalisht nga Qeveria.

Veliaj e ka kundërshtuar procedurën e ndjekur, duke lënë të kuptohet se mund të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 i Kushtetutës parashikon se, nëse bëhet ankim brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Ky akt do të bllokonte zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë.

Por duket se Rama po ecën përpara, ndërsa e konsideron vendimin për shkarkimin e Veliajt si të detyrueshëm.

Kryeministri ka deklaruar se Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si “trup pa kokë” dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një “bashki kokëkëputur”, duke shtuar se opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt me urdhër të SPAK, ndërsa dosja në ngarkim të tij ka kaluar për gjykim në GJKKO. Ndaj Kryebashkiakut, SPAK ka ngritur 13 akuza, 9 prej të cilave për korrupsion në po kaq raste.

 

Lini një Përgjigje