
Dy ditë pas vendimit të Apelit për t’i lënë vulën e partisë, Enkelejd Alibeajt, ish-kryeministri, Sali Berisha ka mbledhur sot në mesditë kandidatët e tij për kryetarë të bashkive.
Ish kryeministri akuzoi, kreun e qeverisë se ndikoi në vendimin e fundit të gjykatës me qëllim për të konfiskuar vulën e Partisë Demokratike.
Duke folur nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se nuk do të marri asnjë vendim lidhur me regjistrimin në zgjedhjet e 14 Majit pa u konsultuar me kandidatët, duke theksuar se ata janë zgjedhur me votë të lirë nga demokratët.
“Si burracak Edi Rama shtyu deri në 3 ditë para skadimit të afatit vendimin e parafabrikuar të gjykatës të kontrolluar 100% prej tij dhe konfiskoi vulën e partisë. Mendoi se me këtë akt na dha një goditje dhe shpëtoi nga opozita e vërtetë. E vërteta është e kundërta, ai s’do shpëtojë kurrë nga PD-ja, nga e cila u ngrit si feniksi nga hiri apo labirinthet e kurthet e paimagjinueshme shqiptare dhe ndërkombëtare. Në vendimet që do të marrim, sigurisht që ju keni zërin tuaj dhe partia nuk merr asnjë vendim pas një konsultë me ju. E vërteta është që jeni ju kandidatët e lirisë, kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, por jo të vetëm të këtij vendi, por edhe të vendeve të tjera që zgjidheni me votën e lirë të anëtarësisë dhe mbështetësve të PD”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje