
Nuk ka fund trupi dhe tallja me ligjet për rritjen e pagave. Duke u fshehur pas propozimit për rritjen e pagave në administratë, deputetët futën disa përcaktime duke rritur pagat për veten e tyre. Ligjet përveçse kaluan me urgjencë në komisione, edhe sot u miratuan me shumë shpejtësi.
Në mes të seancës, drejtuesja e hodhi në votim me argumentin se ligjet do hyjnë në fuqi menjëherë dhe duhet të shkojnë te presidenti. Ky i fundit kishte dhënë aprovimin që të dekretojë menjëherë, por duhej të ikte jashtë shtetit dhe nuk priste dot. Për këtë arsye, pas afro 4 orësh seancë, ligjet u hodhën në votim. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.07.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar u miratua me 95 vota.
Ndërsa ligji "Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi", me 97 vota.
Më pas seanca vijoi me diskutimet për ligjet e tjera. Pra duket se babëzia vijon. Me këtë rritje, deputetët dhe ministrat marrin dy fish page.
Dy projektligjet që i hapin rrugën rishikimit të pagave për herë të parë në administratën publike që nga vitit 2006 kaluan të martën në Komisionin e Ekonomisë.
Përveç administratës janë rishikuar edhe pagat e funksionarëve të lartë dhe titullarëve të institucioneve të pavarura, koeficientët e pagave të të cilëve do të shumëzohen më pagën e re të Presidentit prej 425 000 lekësh.
Më të paguarit në administratë pas presidentit do të jenë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit me pagën 393 mijë e 125 lekë, më pas zv/kryeministri me 330 mijë lekë, ministrat me nga 318 750 lekë dhe deputetët me 310 250 lekë.

Lini një Përgjigje