Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën për keqpërdorim të fondeve të IPARD, duke pretenduar se ato nuk janë shpërndarë tek fermerët.
Deklaratat e tij erdhën në përgjigje të deputetit socialist Ardit Bido, i cili kritikoi opozitën se flet për subvencionet në bujqësi, ndërsa në takimet me Bashkimin Europian kërkon bllokimin e negociatave.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ashpërsoi tonet, duke e cilësuar Bidon si “papagall” dhe duke rikthyer në vëmendje, sipas tij, çështjen e fondeve të IPARD. Ai krahasoi gjithashtu mbështetjen për bujqësinë në Shqipëri me atë në Kosovë.
“Mashtrimi është bërë ligji i tyre. 3 mld euro kemi investuar ne të zonat rurale. Ullinjtë nga 4 mln që vinin nga koha e Skënderbeut në 11 milionë,. Nuk i zhbëni dot kurrë. Nuk matemi dot me vendet e BE, por Kosova ka ndarë këtë vit 200 mln euro për bujqësinë, 4 herë më shumë se Shqipëria. Jep për një hektar grurë 100-150 euro për plehërimit, jep për naftën dhe farën. Nuk krahasohemi me Gjermaninë e Francën, por me Kosovën që ka gjysmën e buxhetit tonë. Ç’jeni kaq të mjerë që bëni papagallin e një hajduti. A jeni shqiptarë? Po IPARD-in që e vodhët dhe i përjashtuar nga qindra mln euro fermerët. Apo i vodhi ai pa lejen e të cilit nuk vidhet asgjë dhe e mori më pas në zyrë”, tha ai.
Sipas Berishës, fermerët shqiptarë janë lënë pa mbështetjen e duhur financiare, ndërsa kërkoi më shumë transparencë dhe masa konkrete për sektorin bujqësor.
Lini një Përgjigje