Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vrasjen e policit dhe plagosjes së një tjetër efektivi gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar, në Lozhan të Maliqit.
Kreu i qeverisë kërkoi “ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit”.
"Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!
Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj", shkruan Rama.
Efektivi i forcave ‘Shqiponja’ Enea Mekolli 34 vjeç, mbeti i vrarë ndërsa kolegu i tij Edison Adri 36 vjeç u plagos si pasojë e shkëmbimi zjarri në një stan në Lozhan të Maliqit. Autor është Violand Braçellari 43 vjeç, i shpallur në kërkim e i dënuar në mungesë me 10 vite burg për ‘Prodhim e shitje të narkotikëve’.
Braçellari fshihej në stan ndërsa policia kishte rënë në gjurmët e tij dhe shkoi për ta arrestuar. Stani u rrethua ndërsa 43-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për tu dorëzuar, por hapi zjarr në drejtim të efektivëve ku për pasojë vrau njërin prej tyre dhe plagosi një tjetër. Ky i fundit është nisur me helikopter të ushtrisë drejt Traumës me plagë në pjesën e nofullës dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.
Policia iu kundërpërgjigj po me armë duke e plagosur autorin në bark. Ai është arrestuar ndërsa fillimisht është dërguar për mjekim në spitalin e Korçës ndërsa do të dërgohet te Trauma për mjekim të specializuar.
Lini një Përgjigje