Operacioni për arrestimin e një personi në kërkim në Lozhan të Maliqit përfundoi në tragjedi, pasi 44-vjeçari Violand Braçellari vrau efektivin Enea Mekolli dhe plagosi rëndë kolegun e tij, Edison Adri, gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e së enjtes në fshatin Lozhan të Maliqit, ku një person i shpallur në kërkim hapi zjarr ndaj forcave të policisë gjatë një operacioni për kapjen e tij. Nga përplasja mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa polici Edison Adri u plagos rëndë në fyt.
Mëngjesin e sotëm, në operacion morën pjesë efektivë të forcës së posaçme "Shqiponja" dhe oficerë të Policisë Kriminale. Gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, forcat e policisë i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej.
Burime për "Pamfleti" bëjnë me dije se efektivi Enea Mekolli ka qenë një nga policët më pranë autorit në momentet e operacionit. Duke përfituar nga njohja e terrenit dhe ambientit përreth banesës, Braçellari dyshohet se ka gjetur momentin e përshtatshëm për të hapur zjarr ndaj efektivëve.
Sipas të njëjtave burime, Enea Mekolli është goditur i pari me një plumb në kokë, plagë që rezultoi fatale. Pas tij është qëlluar edhe efektivi Edison Adri, i cili ka marrë një plumb në zonën e fytit, duke mbetur i plagosur rëndë. Efektivët e 'Shqiponjave' nuk kishin veshur jelekun antiplumb gjatë pjesëmarrjes në operacionin për kapjen e Braçellarit.
Menjëherë pas ngjarjes, Edison Adri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar. Raportohet se gjendja e tij paraqitet e rëndë.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe vetë autori i dyshuar, i cili ka marrë plumb në bark dhe në dorë. Më pas ai ka hedhur armën e zjarrit dhe është dorëzuar para forcave të policisë.
Ndërkohë, grupet hetimore dhe drejtues të Policisë së Shtetit ndodhen në vendngjarje, ku po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Duhet denim shume i ashper per vrasjen e policeve