TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2026, 16:00

Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kushtetuesja legjitimon Endri Shabanin; rrëzohet ankimimi i kandidates

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kushtetuesja legjitimon Endri Shabanin;
Endri Shabani pas zgjedhjes si Avokat i Popullit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e bërë lidhur me zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit. Kushtetuesja vendosi të mos kalojë në seancë plenare ankimin e bërë nga Adriana Kalaja, e cila garonte për këtë pozicion, por u la jashtë garës finale, për shkak edhe të një truku të bërë nga deputetët e PD-së.

Pas zgjedhjes së Shabanit si Avokat i Popullit, Kalaja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë së procedurës së zgjedhjes nga Kuvendi dhe shfuqizimin e procesit si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Por Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë në seancë këtë ankimim duke i dhënë fund kështu procesit të 12 dhjetorit, datë kur Kuvendi votoi Endri Shabanin, i mbështetur me firma nga deputetët e PD-së, si Avokat i Popullit.

“Lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, ky është një funksion kushtetues dhe aq më shumë që ka nene të të parashikuara në vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për mënyrën se si zgjidhet Avokati i Popullit. Ndërkohë, gjatë procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, që në momentin e hapjes së garës, datë 13 tetor 2025 dhe deri në momentin e votimit, kam konstatuar shkelje shumë të rënda, të cilat vijnë në papajtueshmëri me Kushtetutën, vijnë në papajtueshmëri qoftë edhe me ligjin organik të Avokatit të Popullit, po edhe me rregulloren e brendshme të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në këto kushte, unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese, të konstatojë papajtueshmërinë e këtij procesi me parimet dhe nenet e Kushtetutës, qoftë edhe me ligjin organik, dhe nga ana tjetër të shfuqizojë të gjithë këtë proces si antikushtetues dhe antiligjor. Paralelisht me këtë kërkesë, unë kam sjellë dhe kërkesën për pezullimin e efekteve ligjore që ka prodhuar ky proces, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marri formë të prerë dhe të botohet në fletoren zyrtare”, deklaronte Kalaja.

 

Lini një Përgjigje