Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas situatës së krijuar në juglindje të vendit, ku bllokimi i akseve ka sjellë pasoja në qarkullim dhe ekonomi. Ajo e cilësoi izolimin e zonës si rezultat të një politike infrastrukturore që, sipas saj, ka dështuar dhe është ndikuar nga korrupsioni.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u ndal te shifrat e investimeve në rrugë dhe koncesione gjatë viteve të fundit, duke theksuar koston e lartë financiare për buxhetin dhe qytetarët.
“3.8 miliardë euro është kosto e infrastrukturës dhe rrugëve nga 2013 deri më sot. Një kosto që ka dalë nga buxheti i shtetit, nga xhepat e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, që nga viti 2022 fondi vjetor për infrastrukturën rrugore është rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 200 në 400 milionë euro në vit, por pa dhënë rezultatet e pritshme.
“Cili është rezultati? Sot kemi rrugë të florinjta që po shkërmoqen”, deklaroi ajo, duke shtuar se me çmime mesatare të Bashkimit Europian do të ishte ndërtuar një autostradë prej 300 kilometrash nga veriu në jug, me ndikim real në zhvillimin ekonomik.
Tabaku e quajti modelin aktual të investimeve si “kosto e korrupsionit”, duke argumentuar se përfitimet janë përqendruar në pak duar, ndërsa pasojat bien mbi qytetarët dhe bizneset. Ajo theksoi se situata aktuale ka sjellë bllokim territori, humbje për fermerët dhe dëme për sipërmarrjen.
“Kush mban përgjegjësinë që sot gjysma e vendit është e bllokuar? Kush mban përgjegjësinë për fermerët që po hedhin produktet? Jemi në situatë lufte pa qenë në luftë”, u shpreh Tabaku.
Në përmbyllje, ajo ngriti pikëpyetje mbi drejtimin e politikave të zhvillimit, duke theksuar se infrastruktura është shembulli më i qartë i një ekonomie të përqendruar.
“Sot infrastruktura është shembulli më i mirë që Shqipëria është përqendruar në pak duar dhe fatkeqësisht sheh vetëm interesin e pakicës”, përfundoi ajo.
Deklaratat e Tabakut vijnë në një kohë kur investimet publike në infrastrukturë dhe standardet e zbatimit të projekteve janë kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik.
Lini një Përgjigje