TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2026, 14:55

“956 milionë euro të hedhura në rrugët që po shemben", PD kërkon hetim për përgjegjësit

Shkruar nga Pamfleti
“956 milionë euro të hedhura në rrugët që po
Berisha-PD

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, deklaroi se të paktën 956 milionë euro nga fondet publike janë investuar në projekte rrugore që, sipas saj, sot paraqesin probleme serioze strukturore dhe rrezik për qytetarët.

Në një deklaratë publike, ajo tha se një sërë investimesh të prezantuara si projekte madhore po rezultojnë me dëmtime të hershme, duke ngritur dyshime për standardet e zbatimit dhe menaxhimin e fondeve.

“Të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë hedhur në asfalt që sot po shembet, po rrëshqet dhe po rrezikon jetën e qytetarëve. Projektet rrugore të propaganduara si “vepra madhore” po rezultojnë simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve serioze për abuzim me fondet publike. Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit”, u shpreh Vangjeli.

Ajo renditi disa prej akseve ku, sipas opozitës, janë evidentuar shembje ose dëmtime, përfshirë Tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit (mbi 300 milionë euro), Tunelin e Llogarasë (mbi 200 milionë euro), Tunelin e Skërficës në aksin Kardhiq–Delvinë (rreth 145 milionë euro), si dhe segmentin Qukës–Qafë Plloçë (rreth 260 milionë euro). Në listë u përmendën gjithashtu aksi Librazhd–Pogradec, Maqellarë–Peshkopi (Luzni), Unaza e Burrelit, segmenti Usojë–Mallakastër, aksi Kuç–Qeparo dhe Vllahinë–Poçem.

Vangjeli theksoi se prej disa ditësh qarkullimi në juglindje të vendit ka qenë i bllokuar, duke ndikuar negativisht në ekonominë lokale dhe lëvizjen e qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon hetim të plotë për përgjegjësit teknikë dhe administrativë të projekteve të përmendura, si dhe garanci për sigurinë e përdoruesve të këtyre akseve.

Në fund të deklaratës, Vangjeli akuzoi qeverinë për mungesë llogaridhënieje dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar: “Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në shesh.”

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë hedhur në asfalt që sot po shembet, po rrëshqet dhe po rrezikon jetën e qytetarëve.
Projektet rrugore të propaganduara si “vepra madhore” po rezultojnë simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve serioze për abuzim me fondet publike.
Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit.
Vetëm në muajt e fundit janë raportuar shembje apo dëmtime në këto akse:

Rruga e Arbrit – Tuneli i Murrizit, inauguruar 1 vit më pare, kosto: mbi 300 milionë euro
Tuneli i Llogarasë – inauguruar 19 muaj më parë
Kosto: mbi 200 milionë euro

Tuneli i Skërficës rruga Kardhiq-Delvinë– hapur 3 vite më parë, kosto: rreth 145 milionë euro
Rruga Qukës–Qafë Plloçë inauguruar 5 muaj më pare, kosto: rreth 260 milionë euro
Aksi Librazhd – Pogradec kosto: rreth 50 milionë euro
Aksi Maqellarë – Peshkopi (Luzni) inauguruar 9 muaj më parë kosto: 10 milionë euro
Unaza e Burrelit – inauguruar 6 muaj më parë
Kosto: 1.2 milionë euro

Aksi Usojë – Mallakastër inauguruar 5 muaj më parë kosto: 650 mijë euro
Aksi Kuç – Qeparo (segmenti që lidh lumin e Vlorës me Himarën) inauguruar para 6 vitesh
Kosto: 35.4 milionë euro
Aksi Vllahinë – Poçem – çarje 2 vite pas ndërtimit, kosto: 4.7 milionë euro
Prej më shumë se 5 ditësh, qarkullimi në juglindje të vendit ka qenë i bllokuar, duke dëmtuar qytetarët dhe ekonominë lokale.
Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture.
Kjo është çështje përgjegjësie.

Kur rrugët shemben, nuk shembet vetëm asfalti shembet besimi i qytetarëve, dëmtohet ekonomia kombëtare dhe rëndohet barra mbi taksapaguesit.
Ne kërkojmë:
Hetim të plotë për përgjegjësit teknikë dhe administrativë të këtyre projekteve.
Garanci reale sigurie për qytetarët që përdorin këto akse rrugore.
Edi Rama dhe qeveria e tij kanë pasur 13 vite kohë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë mund të bëjnë për vendin.

Pas 13 vitesh, bilanci është i qartë: rrugë të shembura, kosto të fryra, korrupsion dhe mungesë llogaridhënieje.
Shqiptarët meritojnë rrugë të sigurta, jo projekte që rrëshqasin bashkë me dherat.
Koha e llogaridhënies nuk mund të shtyhet më.
Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në shesh.

pd 956 milionë euro

Lini një Përgjigje