Këtë të dielë më 9 nëntor, po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Mbi 334 mijë qytetarë janë thirrur të votojnë për kryetarët e rinj të bashkive, në një proces që nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 18:00.
Policia e Shtetit ka angazhuar 612 efektivë për të garantuar sigurinë në 473 qendra votimi dhe 9 objekte të KZAZ-ve.Në Bashkinë e Tepelenës, për herë të parë po testohet përdorimi i inteligjencës artificiale në numërimin e votave.
Fituesit e këtyre zgjedhjeve do të kenë një mandat të shkurtër, deri në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2027.
Po kush janë 13 kandidatët në garë për drejtimin e 5 bashkive?
1-Vlora

Në Vlorë, gara është mes Bruna Mersinit të PS, Dionis Sotës që mbështetet nga PD dhe Gjergj Nikës, rebelit të pavarur që doli po nga radhët e demokratëve por nuk mbështet prej tyre. Në këtë bashki janë thirrur për të votuar 171 895 qytetarë.
2-Cërrik

Në Cërrik janë 3 kandidatë. Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet. 38 724 është numri i qytetarëve me të drejtë vote.
3-Mat

Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur. Numri i votuesve shkon në 29 092 qytetarë.
4-Berat

Në Berat, gara është mes Ervin Ceca dhe Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar. Kjo bashki, numëron 82 161 zgjedhës.
5-Tepelenë

Përballë ish kreut të Gardës Gramoz Sakos, në Tepelenë kandidon i mbështeturi nga Partia Demokratike Gabriel Guma. Aty, kanë të drejtë vote 12 667 votues.
Të pesta bashkitë që i drejtohen zgjedhjeve të 9 nëntorit janë fituar nga socialistët në zgjedhjet e kaluara lokale.
Lini një Përgjigje