Kryetari i PD, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar një takim me demokratët e degës 11 në Laprakë, në mbështetje të kandidatit të PD-së, Roland Bejko për Bashkinë e Tiranës. Gjatë fjalës së tij, Aliebaj hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se kërkon të përçajë Partinë Demokratike, teksa shtoi se duhen treguar non-gratat e vetë. Ai gjithashtu deklaroi se Rama, Berisha dhe Meta kanë bërë marrëveshje me njëri-tjetrin.
"Jemi nën agresion. Agresion jo të shkaktuar prej nesh, përkundrazi për faktin se kemi qëndruar gjithmonë aty ku demokratët kanë vendinm tek Partia Demokratike, rreth vlerave të Partisë Demokratike. E në fakt jemi në një sulm nga tre persona: Rama, Berisha dhe Meta, bashkë, në marrëveshje me njëri-tjetrin. Në marrëveshje që dikur ka qenë okulte, e errët, duke ua hedhur demokratëve dhe shqiptarëve dhe tashmë kanë dalë hapur. Kjo trini e pa shenjtë, Rama-Berisha-Meta, po e vijon sulmin që e nisën të tre së bashku ndaj Partisë Demokratike një vit e gjysmë më parë. Sulm i mirë-koordinuar nga të tre. Haptazi dhe fshehurazi. Me media dhe para. Me kërcënime e me shantazhe. Se cili prej tyre është ati që refuzon të dalë në pension, se cili është biri plan prishës dhe se cili është shpirti i pashenjtë, provoni t’i gjeni vet. Në fakt nuk do të gaboni në asnjë nga kombinacionet. Njëri kërkon ta shpopullojë Shqipërinë nga shqiptarët dhe deri tani ia ka dalë. Tjetri kërkon ta vjedh Shqipërinë akoma dhe akoma, ta vjedh. Mesa duket nuk ia ka dalë akoma, se ka vjedhur të gjithën. I treti kërkon të zbraz Partinë Demokratike nga demokratët, por nuk do t’ia dalë.
Të mos harrojmë në këtë rrugëtimin tonë kaq të vështirë, me kaq thika pas shpine, me kaq tradhti që I bëhet demokratëve, të mos harrojmë një gjë: armiku, kundërshtari, e keqja më e madhe e shqiptarëve, jo vetëm e demokratëve, është Edi Rama. Është regjimi i Edi Ramës dhe i gjithë satelitëve që I ka përreth. Shpopullimi, është vepër e tij. Ekonomia përtokë është vepër e tij, çmimet në kupë të qiellit, është vepër e tij, rendi dhe siguria që nuk ekzistojnë, është vepër e tij dhe s’ka se si të mos jenë vepra të tija. Ka lindur, është edukuar, është pjellë e diktaturës komuniste. Edukata familjare e tij dhe edukata politike e tij ka vetëm një synim. Të kënaqet duke parë të tjerët duke vuajtur e duke lënguar. Po ai është e keqja më e madhe dhe duket fare mirë që shumica dërrmuese e shqiptarëve, jo vetëm e demokratëve edhe këta pa parti, edhe ata gri, edhe socialistët e zhgënjyer sot kanë një emërues të përbashkët: të largohet një orë e më parë. Me mundësinë më të parë që u jepet.
Ama ka dy persona, ka dy persona të cilët në këtë marrëdhënie të shoqërisë shqiptare, publikut shqiptar dhe nevojës për të larguar një orë e më parë Edi Ramën, janë futur si fanti spathi në mes, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Nuk pritej, të paktën nga Sali Berisha, idhulli I demokratëve, dy herë president, dy herë kryeministër. Është futur në histori pikërisht prej mundit, djersës, sakrificës pse jo të shumë demokratëve. Dhe sot shpërblimi që po u jep demokratëve është pikërisht kjo, të përçajë demokratët, të ndaj demokratët, hidh helm mes demokratëve, e përse? Për një hall personal, për një hall personal që si u përbetua në 9 shtator në fakt, tha “ky është halli im, nuk do ta ndaj me demokratët, do ta zgjidh në mënyrë private. Po, burrit të shtetit kështu ia ka hija që të sillet. Pak kohë më pas, tha gjë tjetër: “një parti e cila nuk mbron liderin e saj, nuk meriton të ekzistojë”. Partia Demokratike nuk meriton të ekzistojë, për shkak të hallit personal të Sali Berishës?! Epo kjo është e papranueshme për to. Fyen inteligjencën e çdo demokrati që ka lënguar në këto vite nga 2013-ta e këtej, fyen të ardhmen tonë, fyen sakrificat e demokratëve. Asgjë personale nuk kam unë de asgjë personale nuk kanë kolegët e mi me të. Jo, jo. Kjo ishte arsyeja se përse nga 9 shtatori e këtej, qëndrimi ynë ishte po, ky: midis hallit personal kushdo qoftë ai, sado që të ketë marrë nga Partia Demokratike, sado që të jetë lartësuar nga demokratët, përkundër fatit të demokratëve, zgjidhet kjo e dyta. Zgjidhet kjo e dyta. Dhe jo vetëm kaq por ka shkuar më tej akoma. Ia shtrimë dorën që herët. Si na e ktheu? Në 8 janar erdhi na bëri presion fizik, jo ndaj selisë së Partisë Demokratike, ndaj demokratëve që donin ta ruanin partinë demokratike siç ajo ka lindur që në fillim, me ADN-në e saj ekzistenciale. Një parti e cila baza e vetme poltike e perëndimit dhe amerikanëve në Shqipëri."-u shpreh Alibeaj ndër të tjera.
Lini një Përgjigje