Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur lobimet në Amerikë për hequr njollën e shpalljes “non-grata” të tij bashkë me familjen. Si duket Berisha është trembur nga ngjarjet e fundit dhe nuk ka humbur kohë. Kontrata e Berishës me kompaninë “PRIME Policy Group” është publikuar dhe zyrtarisht. Gjëja e parë që të bie në sy është fakti se edhe pse për lobime të tilla paguhen mijëra dollarë, kjo kontratë është “pro-bono”, çka do të thotë se kompania amerikane “PRIME Policy Group” (PPG), do ndihmojë Berishën mbi baza krejtësisht vullnetare pa përfshirë asnjë pagesë apo detyrim direkt ose indirekt.
Në vitin 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi ndalimin e Berishës dhe familjes së tij për të udhëtuar në SHBA, duke e akuzuar ish-udhëheqësin për përfshirje në “akte korruptive, të tilla si shpërdorimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij” gjatë kohës së tij në pushtet.
Sali Berisha ka kontraktuar lobistin Charlie Black të kompanisë “Prime Policy Group”, një ish-këshilltar për fushatat presidenciale të Ronald Reagan, George HW Bush, George W. Bush dhe John McCain. Kompania është regjistruar zyrtarisht këtë javë për të përfaqësuar Berishën në Uashington “pro bono”, sipas dokumenteve të paraqitura në Departamentin e Drejtësisë.
Kontrata e lobimit të Berishës në Amerikë
Siç shkruan media me bazë në Virxhinia, SHBA, "Politico", lobisti Charlie Black është zotuar të bëjë presion ndaj anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për të hetuar nëse ka ndonjë lidhje midis marrëdhënieve të McGonigal në Shqipëri dhe administratës së Bidenit.
Lobisti amerikan e ka cilësuar vendimin për të sanksionuar Berishën dhe familjen e tij, si të “i gabuar” dhe thotë se nuk ka dijeni për asnjë provë.
“Kongresi merr raporte të rregullta nga Departamenti i Shtetit për arsyet e një deklarate për shpalljen e një personi non-grata”, ka thënë Charlie Black në një deklaratë, duke u bërë thirrje ligjvënësve “të hetojnë se si erdhi kjo deklaratë e veçantë”.
Kompania apo firma ligjore “Prime Policy Group” e Charlie Black nuk është e panjohur për Sali Berishën. Ajo ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në çështje të ndryshe ligjore, kur Sali Berisha ishte kryeministër i vendit. Në një intervistë të veçantë lobisti amerikan ka thënë se ishte bërë mik me Berishën gjatë viteve dhe se të dy kishin mbajtur kontakte herë pas here.
Më tej ai shton në deklaratë se:
“Diku mund të gjendet ndonjë dosje apo informacion i klasifikuar mbi Berishën që hedh poshtë këtë që unë po them, unë nuk e di çfarë ka konkretisht, ndaj dhe po bëj përpjekje për të angazhuar njerëz të përgjegjshëm që të hedhin dritë mbi këtë dosje.”

Lini një Përgjigje