Politike20 Prill 2023, 10:08

Zgjedhjet/ Qeveria “hap thesin”, ministrat njoftojnë rritje pagash për administratën

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet/ Qeveria “hap thesin”, ministrat njoftojnë rritje
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

Këtë të enjte pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se do të rriten pagat për punonjësit e stafeve mbështetës të administratës shtetërore.

Ibrahimaj bëri të ditur sot se nga data 1 prill pagat do të rriten për sektorin e shëndetësisë, policisë së burgjeve, policisë së shtetit, zjarrfikësit, gardën, mësuesit si dhe për punonjësit në kategoritë mbështetëse në administratën publike.

Ajo shpjegoi se janë “disa zëra të parashikuara në buxhetin e vitit 2023” të cilat bëjnë të mundur rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit.

“Siç kemi anonçuar kjo rritje do të jetë e ndarë në dy faza. Pra projektvendimet që sapo miratuam sot janë projektvendime që lidhen me pagat e vitit 2023 ndërkohë që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagave në 2024 kur reforma supozohet që të përfundojë. Kostoja vjetore e cila e plotë do të jetë për vitin 2025 e rritje së pagave është në nivelin 38 miliardë Lekë. Këto fonde janë parashikuar që të mblidhe qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokime të brendshme. Pra janë kosto që përballohen brenda kuadrit makrofiskal duke ruajtur të gjitha parametrat e ligjit organik të buxhetit. Që do të thotë ne do të vijojmë të ulim borxhin dhe ne do të vijojmë të ulim deficit  duke garantuar qëndrueshmëri fiskale. Për vitin aktual në buxhetin e vitit 2023, që ku u hartua ne kemi parashikuar një politikë të rritjes së pagave dhe ishte një vlerë prej 2.4 miliardë lekësh të parashikuara në buxhet për politikën e rritjes së pagave. Ajo rritje targetonte sistemin e arsimit, të shëndetësisë, por edhe disa kategori të tjera si për shembull sektori i IT. Sigurisht që në projektbuxhetin e këtij viti kishim një fond rezervë për disa politika sociale të cilat planifikonim t’i implementonim gjatë vitit. Rritja e pagave dhe momenti i rritjes së pagave vjen si pasojë e krizës inflacioniste që është duke ndodhur, çmimeve të larta dhe rritjes së kostove të jetesës. Janë disa zëra të parashikuara në buxhetin e vitit 2023 të cilët akomodojnë rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit.”, tha ajo.

Edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se do të ketë rritje pagash për mësuesit.

“Kemi marrë vendimin që vitin e ardhshëm, të kemi një nga rritje më të mëdha ndonjëherë të pagave të mësuesve. Që do të jenë nga 23 deri në 36 përqind, në varësi të pozicioneve të tyre, sigurisht në varësi të përvojës dhe kualifikimeve që ata kanë. Paga e një mësuesi të shkollave 9-vjeçare do të jetë deri në 95,550. Ndërkohë që për arsimin e mesëm të lartë, do të jetë 106,800 lekë paga bruto.

Këtë herë kemi marrë vendim për një rritje më të madhe. Do të jetë 30 përqind rritja e pagave të pedagogëve, ku 20 përqind do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër sigurisht nga të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lart.”, tha Kushi.

zgjedhjet rritje pagash