
Albin Kurti nuk arriti të siguronte sot 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, procesi për formimin e qeverisë kalon tani tek presidentja Vjosa Osmani, e cila, sipas kabinetit të saj, do të ftojë partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues.
“Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, deklaroi për RTK-në këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Në seancën e sotme, propozimi për kabinetin “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan, duke e bërë të pamundur formimin e qeverisë së re.
Në sallë ishin të pranishëm 130 deputetë, ndërsa mbajti fjalën e tij, Albin Kurti.
Në fjalën e tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe njëkohësisht kryeministër ende në detyrë, Albin Kurti tha se në këto 6 muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Sipas tij, nëse do të një qasje pozitive, sot do të ishte krijuar një qeveri koalicioni.
“Mbi 6 muaj prej thirrjes së seancës, më në fund kemi një Kuvend të konstituuar. Është një vonesë e paprecedentë, ku 5 nga këta 6 muaj deputetët ishin duke pritur Gjykatën Kushtetuese. Asnjë parti që i kemi bërë ftesë nuk ka pranuar bashkëpunim.
Sot qeveria propozohet për votim si një akt i shërbimit ndaj vendit. Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të re, pa buxhet për vitin e ardhshëm dhe pa funksionim të institucioneve të vendit.
Një vend pa buxhet, është një vend që nuk mund të ecë përpara. Votoni për interes publik e shtetëror, qeverinë e prodhuar nga rezultati i 9 shkurtit”, tha Kurti.
Lini një Përgjigje