
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të shkojë në Bratislavë, ku po zhvillohen punimet për forumin e sigurisë.
Pamjet e tij në rrjetet sociale i publikoi Instituti sllovak, GLOBSEC, i cili po organizon forumin.
BE e cilësoi Bratislavën si pikë takimi mes Kurtit dhe Vuçiç për të diskutuar situatën në veri të Kosovës, por të dy fillimisht thanë se nuk do të merrnin pjesë se do të qëndronin pranë popullit të tyre.
Por pas vendimit të Vuçiç për të mos marrë pjesë në forum, Albin Kurti duket se ka ndryshuar mendje.
Mirosllav Lajçak u përpoq që të organizojë një takim mes dy udhëheqësve, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç në Bratislavë, ku dy liderët ishin të ftuar në konferencën për siguri globale, “Globsec”. Qeveria e Kosovës tha dje se pjesëmarrja e Kurtit mund të anulohej për shkak të zhvillimeve në veri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha më pas se nuk do të udhëtojë drejt Bratisllavës.
“Po qëndroj me popullin dhe ushtarët tanë. Serbia do të fitojë”, njoftoi ai duke vulosur mospraninë.