Kosova 4 Qershor 2023, 15:12

“Boll nxitët konflikt”, kreu i KFOR i ashpër: Pa forcat e NATO, Kosova do të ishte sot vatër lufte!

Shkruar nga Pamfleti

“Boll nxitët konflikt”, kreu i KFOR i ashpër: Pa forcat e

Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme...

Forcave paqeruajtëse në Kosovë duket se u ka ardhur deri në “majë të hundës” me tensionet në veri. KFOR është vënë në gatishmëri dhe ka shtuar forcat ushtarake, ndërkohë që ka shtuar thirrjet për qetësi.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka folur në një intervistë për “Corriere della Sera”, duke deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka vepruar njëanshëm me vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në tri komunat në veri.

Vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, u bë pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, tha ai.

Ristuccia shtoi se tani duhet koordinim. Sipas tij, duhet të vlerësohen pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh. Më tej ai shtoi se Kosova në veri pa misionin e NATO-s, do të ishte “një tjetër vatër lufte”.

Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato”, u shpreh ai.

Komandanti i KFOR-it duke folur për gazetën italiane, theksoi se për situatën e krijuar të dyja palët janë përgjegjëse. Sipas tij duhet të marrë fund retorika konfliktuale.

Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë“, u shpreh ai.

kfor nato lufte