
Misioni paqeruajtës i KFOR-it ka dalë me një deklaratë rreth vendodhjes së policëve kosovarë që u rrëmbyen nga serbë të maskuar. Në njoftim thuhet se bazuar në të dhënat e deritanishme ende s’dihet saktësisht se ku ndodheshin policët gjatë rrëmbimit, të cilit KFOR-i i referohet si arrestim.
“Bazuar në të dhënat në dispozicion, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët policorë të Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në njoftim.
Kjo në një mënyrë apo në tjetrën tregon se KFOR-i dhe Ndërkombëtarët po dështojnë për të kryer misionin e tyre përballë Serbisë, e cila i ka refuzuar në çdo mënyrë dhe nuk po jep asnjë informacion lidhur me rastin.
Më tej KFOR-i, vazhdon të sqarojë se në këtë vendndodhje, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet e Kosovës ashtu edhe autoritetet e Serbisë kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike në mes të Serbisë dhe KFOR-it dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-in. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’u përmbahen marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund ta përshkallëzojë situatën në zonë”, thuhet në reagim të KFOR-it të premten pasdite.
Në fund të komunikatës, KFOR-i shton se i mirëpret përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e çështjes dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim raportesh. Ndërsa shtoi se do të vazhdojë ta kryejë mandatin si “palë e tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Lini një Përgjigje