Kosova16 Qershor 2023, 17:05

Kosova nuk ndryshon qëndrim, Konjufca: Nëse BE toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka më kuptim

Shkruar nga Pamfleti

Kosova nuk ndryshon qëndrim, Konjufca: Nëse BE toleron agresionin e

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas sulmit të sotëm të grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, duke i bërë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai është shprehur se Serbia është shkaktare e këtyre tensioneve dhe se s’mund të ketë qetësi e stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit.

Konjufca theksoi se Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë, teksa shtoi se Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri tek rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare. Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.

E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë. I bëjmë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit. Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka shkruar ai.

kosova be serbia