Kosova16 Qershor 2023, 18:34

Policia e Kosovës bën bilancin: Huliganët serbë sulmuan dhe dhunuan 9 gazetarë

Shkruar nga Pamfleti
Policia e Kosovës bën bilancin: Huliganët serbë sulmuan dhe
Momenti kur dhunohet një gazetar

Nëntë gazetarë janë sulmuar nga huliganët në Leposaviq të premten, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, gazetarët e sulmuar kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet në komunën e Leposaviqit pas vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Disa prej tyre kanë pësuar lëndime trupore.

Po ashtu në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, sipas policisë, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku dy prej tyre u janë grabitur kamera dhe celulari.

Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor”, ka thënë Policia.

Përveç gazetarëve, Policia ka konfirmuar edhe sulmin ndaj automjetit zyrtar që po shoqëronte ministrin Krasniqi.

leposaviq gazetaret