Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i është përgjigjur kritikave të kryeministrit Edi Rama i cili doli krah ndërkombëtarëve duke sulmuar kështu kryeministrin Albin Kurti për tensionet në veri të vendit.
Rrustemi ka deklaruar se kryeministri Rama po sillet si i huaj në raport me Kosovën. Mediat kosovare raportojnë se, deputeti i “VV” ka thënë se ka pritur që në këto raste spektri shqiptar të jetë i bashkuar.
“Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe shqiptar po sillet si ndërkombëtar, si i huaj në raport me Kosovën. Është për të ardhur të keq. Është e rëndësishme që spektri shqiptar të jetë i bashkuar në këtë rast. Kosova po përmbush detyrimet e saj ligjore dhe kushtetuese. Rama duhet të sillet si kryeministër shqiptar. Nuk mund ta përfytyroj se si shteti i së drejtës po i kontribuojka tensioneve”, është shprehur deputeti i VV-së.
Më tej, Rrustemi ka theksuar se edhe partitë politike opozitare të Kosovës duhet të jenë unike për sovranitetin e vendit.
“Spektri politik duhet të jetë unik sa i përket ligjshmërisë dhe sovranitetit të vendit. Nuk mund të kuptoj sjelljen e partive opozitare të Kosovës. Ne kemi detyrim zbatimin e kushtetutshmërisë”, ka thënë Rrustemi.
Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme ka dalë në krah të partnerëve ndërkombëtarë të cilët dënuan ashpër veprimin e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore.
Lini një Përgjigje