
Gjykata e Beogradit ka lënë në burg ish-pjesëtarin e UÇK-së Avni Qenaj, për 30 ditë.
Vendim ky i konfirmuar nga avokati i tij mbrojtës, Xhevdet Smakiqi.
Smakiq e ka konsideruar vendimin si një privim të kundërligjshëm të lirisë dhe ka kritikuar mungesën e presionit diplomatik efektiv nga Qeveria e Kosovës.
“Në mungesë të një qeverie serioze të Kosovës, vazhdojnë kidnapimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sepse Serbia shkel lehtësisht marrëveshjet e Brukselit, ku garantohet liria e lëvizjes dhe të drejtave themelore, duke mos u zbatuar kjo për ish-pjesëtarët e UÇK-së,” ka shkruar ai.
Avokati theksoi se Qenaj është mbajtur në paraburgim pa asnjë provë të vetme, ndërkohë që një presion diplomatik efektiv nga Prishtina do ta kishte lejuar lirimin e tij.
Ai shtoi se familja e Qenajt ndodhet e vetmuar, duke u përballur vetë për të mbrojtur të drejtat ligjore dhe lirinë e lëvizjes të të arrestuarit.
“Familja e Qenaj po kalon këto ditë festive kombëtare nën ankth, pa mbështetjen e shtetit, dhe detyrohet të luftojë vetë përmes angazhimit privat me avokatët e saj,” theksoi Smakiqi.
Ai përfundoi postimin duke shprehur besimin se pafajësia e Avni Qenajt do të triumfojë, por duke kritikuar dështimin e shtetit dhe qeverisë së Kosovës në përmbushjen e përgjegjësive të saj.
“Liri për Avni Qenaj dhe gëzuar 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit, ku po mbahet i kidnapuar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare,” shkroi ai.
Lini një Përgjigje