Kosova 5 Prill 2023, 10:35

Gjyqi në Hagë, Jakup Krasniqi: Nuk më hiqen nga mendja përpëlitjet e babait nga dhuna e serbëve

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi në Hagë, Jakup Krasniqi: Nuk më hiqen nga mendja

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ditën e sotme ka mbajtur fjalën e tij gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Fjalën e tij ai e ka nisur duke prezantuar një autobiografi të tij që nga lindja, për të kaluar më pas në aktivitetin politik.

Duke treguar se vetë ka qenë i dënuar nga ish-Jugosllavia, Krasniqi ka thënë se akuza që i bëhet tani është e paarsyeshme.

"Unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat, dënimet, jo pse janë ushtruar ndaj meje dhe ndaj nesh si popull por janë tepër të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën që asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje, e presion ndaj askujt”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se integriteti i tij personal dhe intelektual nuk do ta lejonte që të përdorte ndaj dikujt dhunë si mjet.

Një ditë më parë, folën edhe avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Para tyre, në një seancë që u zhvillua të hënën bëri deklaratën hyrë edhe Prokuroria Speciale dhe avokati mbrojtës i dëshmitarëve.

Të katër ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

jakup krasniqi hagë