
Publikohen pamjet nga atentati me armë zjarri sot në Kumanovë, ku mbeti i plagosur Zekirija Shaini, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Sic shihet nga pamjet, atentatori i ka zënë pritë makinës me të cilën lëvizte 43-vjeçari, duke e qëlluar disa herë me armë dhe më pas autori largohet me shpejtësi.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur para ndërtesës së Komunës së Kumanovës, ndërsa Zekirija Shaini është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
“Rreth orës 13:54 minuta në Kumanovë, dy persona të panjohur kanë shtënë me armë në veturën e personit Z.Sh nga fshati Sllupçan, i punësuar në Klinikën e Pulmologjisë. Me ndihmën e parë është dërguar në Spitalin e Qytetit”, njoftuan nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërkohë, Prokuroria Publike e Kumanovës ka konfirmuar se dy prokurorë publikë ndodhen në vendngjarje për të mbledhur gjurmë dhe prova materiale.
“Lidhur me incidentin në Kumanovë, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por po verifikohen të gjitha rrethanat”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autorët e sulmit janë ende në arrati. BDI-ja njoftoi se, në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të kësaj ngjarjeje, partia ka pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për sot.
Lini një Përgjigje