Kosova 5 Dhjetor 2023, 23:03

“Kriminelët duhet të kalben në burg”, paralajmëron vëllai i Liridonës: Tani do të nisë beteja jonë për drejtësi

Shkruar nga Pamfleti

“Kriminelët duhet të kalben në burg”,

Vëllai i Liridona Ademaj ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, lidhur me protestën e mbajtur këtë të martë për të ndjerën.

Vëllai i saj i ka falënderuar në emër të tij dhe të nënës së tij, ndërsa shkruan se tani do fillojë fushata e tyre për drejtësi. Ai shkruan gjithashtu se ajo që kërkojnë nga shteti është një drejtësi e shpejtë pa gabime, ndërsa kriminelët duhet të “kalben në burg”.

Shkrimi i plotë i Leonard Ademajt

Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.

Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.

Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.

Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi.