Kosova 4 Mars 2024, 10:15

"Kanë sjellë katër herë ushtrinë në kufirin tonë", Albin Kurti: Regjimi në Serbi sponsorizon terrorizmin

Shkruar nga Pamfleti

"Kanë sjellë katër herë ushtrinë në kufirin

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës.
Kurti ka marrë pjesë në konferencën “Diplomacia Parlamentare për sigurinë rajonale dhe integrimin euro-atlantik”, ku ka folur edhe për autokracinë serbe ndaj Kosovës.

Sipas tij ky regjim është nxitur nga sulmet ruse në Ukrainë.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.

Ai tha se Kosova ka forcuar demokracinë dhe i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë e Ukrainës.

“Rrugëtimi ndaj integrimit euroatlantik kërkon mbështetje dhe solidaritetin e bashkësisë ndërkombëtar. Përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga te gjitha fuqitë demokratike përtej Atlantikut”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetit të tij duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj “kërcënimeve të sigurisë”, që sipas tij, vijnë nga Serbia.

Ai tha se BE-ja dhe NATO-ja iu përgjigjën drejt pushtimit rus të Ukrainës duke pranuar në aleancë Finlandën dhe Suedinë dhe duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2023 dhe për në BE në fund të vitit 2022.

Megjithatë, në asnjërën prej këtyre proceseve integruese nuk është shënuar përparim dhe Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat.

“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit, duke frenuar të gjithë rajonin”, tha Kurti.

albin kurti kosove serbi