
Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së opozitës në Kuvend, duke e akuzuar për bllokim të qëllimshëm të procesit për zgjedhjen e Presidentit.
Ai u bëri thirrje deputetëve opozitarë që të marrin pjesë në seancën e parashikuar në orën 19:00 dhe theksoi se bojkotet nuk i shërbejnë institucioneve dhe vendit.
“Konsideroj se është bërë mjaftueshëm e qartë që opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përpos bllokimit… E gjithë kjo bllokadë përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor”, deklaroi Kurti.
Kryeministri tha se janë bërë disa përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje, përfshirë takime dhe oferta konkrete ndaj partive opozitare, por sipas tij ato janë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme. Ai përmendi edhe propozimin që opozita të sillte tre emra për Presidentin, një prej të cilëve do të mbështetej nga mazhoranca, por tha se kjo nismë nuk u pranua.
“Ne propozime, ata refuzime… I ftova disa herë në takim, por nuk erdhën. Nuk erdhën as në debat parlamentar, u detyruam të flasim me qytetarët”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se bllokimi i procesit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, me kosto të konsiderueshme financiare.
“Vendit do t’i humbnim mbi 10 milionë euro për zgjedhje, pa përmendur pasojat e tjera nëse nuk kemi kuvend funksional”, tha ai.
Ai vlerësoi gjithashtu kandidaturën e Feride Rushitit për Presidente, duke theksuar kontributin e saj në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale dhe duke e cilësuar atë si një figurë të respektuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Kandidate jo partiake, më përfaqësuese, më konsensuale… me një kauzë fisnike dhe emër të njohur ndërkombëtarisht se sa Feride Rushiti në këto rrethana vështirë të gjendet”, tha Kurti.
Kryeministri kritikoi gjithashtu ndryshimin e qëndrimeve të opozitës ndaj kandidaturës së Rushitit, duke theksuar se më herët ajo ishte vlerësuar publikisht nga përfaqësues të tyre.
“I bëj thirrje të vijnë në Kuvend”, përfundoi Kurti, duke e konsideruar seancën e sotme si një moment kyç për zhbllokimin e situatës.
Feride Rushiti Presidente e Shtetit të Kosovës. Nëse opozita bojkoton dhe e çon vëndin në zgjedhje, qytetarët e Kosovës 'mbajnë shënime'. O shoqen e Edi Ramës Presidente o rash e vdiqa, kjo nuk ka b...h ku të rrijë.