TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Dhjetor 2025, 20:25

‘Lajthit’ Vuçiç, shpërthen në akuza ndaj SHBA-së dhe Turqisë: Po armatosin Kosovën për të sulmuar Serbinë!

Shkruar nga Pamfleti
‘Lajthit’ Vuçiç, shpërthen në akuza ndaj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë se janë të përfshira drejtpërdrejt në armatosjen e shqiptarëve në Kosovë, duke pretenduar se këto veprime synojnë të kërcënojnë Serbinë dhe popullsinë serbe në rajon.

Kreu i shtetit serb akuzoi gjithashtu Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën për krijimin e një të ashtuquajture “aleancë ushtarake” kundër Serbisë, duke vënë në dyshim legjitimitetin e bashkëpunimit të tyre në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sipas Vuçiçit, këto marrëveshje janë zgjeruar për të përfshirë edhe Slloveninë, ndërsa po zhvillohen përpjekje për të përfshirë edhe Bullgarinë.

Amerikanët po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu siç po bën edhe Turqia. Qëllimi është një sulm ndaj Serbisë dhe popullit serb”, deklaroi Vuçiç gjatë një fjalimi para ambasadorëve të huaj, duke rritur edhe më tej tonet akuzuese në diskursin e tij ndaj Perëndimit.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Serbia vazhdon të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), Beogradi shpenzoi rreth 2.2 miliardë dollarë për mbrojtjen në vitin 2024, ose 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u renditur si vendi me shpenzimet më të larta ushtarake në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, zhvillimet konkrete në terren tregojnë se incidentet më të rënda të armatosura në rajon janë lidhur me veprime që burojnë nga struktura serbe. Rasti më i rëndë ndodhi në shtator të vitit 2023 në fshatin Banjska, në veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjes u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e mori politikani dhe biznesmeni serb i Kosovës, Milan Radoiçiç, i cili ndodhet në Serbi dhe deri më tani nuk është përballur me ndjekje penale nga autoritetet serbe.

Përveç rastit të Banjskës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza edhe kundër Jovan Viqentijević, Dragiša Viqentijević dhe Igor Dimović, lidhur me sulmin terrorist ndaj kanalit të ujit Ibër–Lepenc. Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijević vendosën lëndë shpërthyese që shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën jetike.

Hetimet u zhvilluan në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), ndërsa analizat mjeko-ligjore të tokës së gjetur në çizmet e të dyshuarve dhe në vendin e shpërthimit konfirmuan praninë e tyre në vendngjarje. Prokuroria Speciale deklaroi se provat e administruara vërtetojnë qartë kryerjen e një akti terrorist.

vucic serbia kosova shba turqia

Lini një Përgjigje