TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Qershor 2026, 16:39

LDK i shtrin dorën Kurtit për koalicion: Të hapur për bashkëpunim

Shkruar nga Pamfleti
LDK i shtrin dorën Kurtit për koalicion: Të hapur për
Qeveria e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk përjashton mundësinë e një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për formim të shpejtë të institucioneve dhe se partia e tij është e hapur për bashkëpunim. “Ne jemi të gatshëm nga sot për bashkëpunim”, ka deklaruar Haziri.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se komunikimet me partitë politike do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Sa të certifikohet rezultati do të fillojmë menjëherë komunikimet me partitë”, tha Kurti.

Aktualisht, KQZ-ja është në pritje të përfundimit të procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

LVV, e udhëhequr nga Kurti, ka fituar shumicën parlamentare me 53 deputetë, ndërsa PDK ka siguruar 22 deputetë, LDK 18 deputetë dhe AAK 7 deputetë.

Me këtë shpërndarje mandatesh, LVV ka mundësinë të formojë qeverinë pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por i nevojitet mbështetja për zgjedhjen e presidentit, ku kërkohet që gjatë votimit të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.

Një marrëveshje me LDK-në do të siguronte 82 vota, vetëm dy më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që nevojiten për raundin e parë dhe të dytë të votimit për president.

Ndërkohë, formimi i një qeverie pa Lëvizjen Vetëvendosje mbetet më i vështirë, pasi tri partitë e ish-opozitës së bashku kanë 47 deputetë dhe u nevojiten edhe 14 deputetë të tjerë për shumicën e nevojshme.

Certifikimi i rezultateve nga KQZ pritet të bëhet në ditët e para të muajit korrik.

kurti ldk qeveria

Lini një Përgjigje