
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Adrienne Watson, ka reaguar për takimin në Ohër, në të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiç janë pajtuar që ta implementojnë zbatimin e marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.
Në një postim në profilin e saj në Twitter, Watson e ka mirëpritur paktin për zbatimin e marrëveshjes.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Watson.
Çfarë ndodhi dje në Ohër?
Ditën e djeshme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.
Ndërmjetësues ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Dy palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.