
Paradoksi: Zgjedhjet e 23 prillit, edhe pse në to morën pjesë një numër i vogël të banorëve të katër komunave të veriut, u quajtën të ligjshme nga SHBA.
Sulmi i vazhdueshëm prej një jave i SHBA-së ndaj Albin Kurtit, ka qenë krejt jo proporcional. Edhe pse rrethanat në terren kanë qenë krejt të ndryshme.
Sulmi e plagosja e frikshme e trupave të KFOR-it përpara komunës së Zveçanit, ka ndodhur në një kohë kur vetë Aleksandër Vuçiç, ministri i tij i jashtëm Daçiç, ministri i mbrojtjes dhe politikanë të lartë të Beogradit, sulmuan hapur KFOR se nuk i mbron serbët.
Menjëherë pas këtyre deklaratave pamë sulme fizike me mjete të forta, por edhe plumba, siç e deklaroi përballë Rakiqit një oficer epror i trupave të KFOR-it në Zveçan.
Oficeri amerikan deklaroi qartë se ata nuk do ta harrojnë këtë sulm. Por në nivelin politik, deri më sot, nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Uashingtoni për këto sulme të egra ndaj ushtarëve të KFOR.
Ndërkaq, ambasadori Chris Hill, i cili pritet që të marrë rolin e Gabriel Escobarit në Ballkan, ka fajësuar vetëm qeverinë e Prishtinës në një deklaratë nga Beogradi.
Prej kohësh ka një beogradomani të qartë të Uashingtonit zyrtar në lidhje me vlerësimet dhe zhvillimet që po ndodhin me Kosovën.
Në rastin konkret, e gjithë situata e tensionit e pati nxitjen te bojkoti masiv i të gjithë serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës. Të cilët Aleksandër Vuçiç madje i dekoroi publikisht policët serbë që braktisën uniformën e Shërbimit Policor të Kosovës. Ishin serbët e veriut ata që refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, të cilat janë detyrim kushtetues e ligjor.
Zgjedhjet e 23 prillit, edhe pse në to morën pjesë një numër i vogël të banorëve të katër komunave të veriut, u quajtën të ligjshme nga SHBA.
Por siç dihet, strukturat vertikale të Vuçiçit në veri të Kosovës nisën sulmin prej një jave ndaj forcave të policisë së Kosovës dhe KFOR, me një objektiv të qartë që është kthyer në kërkesë e panegocueshme edhe nga Beogradi. Kërkesë që thekson se policia e Kosovës duhet të largohet përfundimisht nga katër komunat e veriut.
Në një situate të tillë, kur të gjithë serbët janë larguar nga institucionet, atëherë automatikisht fuqinë dhe kontrollin e marrin milicitë e financuara dhe trajnuara nga BIA serbe. Përkatësisht ata huliganë që dhunuan ushtarët e trupave të KFOR-it.
Cili është plani i SHBA për të dalë nga kjo situatë? KFOR, edhe pse është prezent, ai nuk mund të kryejë asnjë kompetencë në territor, përveçse të qëndrojë mes palëve për të ruajtur sigurinë. KFOR nuk mund të kryejë as kompetenca policore, as doganore, as tatimore apo administrative.
Albin Kurti, siç dihet, planin e ka për të mos e lënë veriun pa strukturat shtetërore të Kosovës, e largimi i policisë e strukturave të tjera, duket se nuk ka një përgjigje alternative.
Në këtë fazë, natyrshëm lind pyetja se çfarë po luhet në veri, një zonë, e cila u la si aneks nën administrimin e Beogradit që në vitin 1999. A po krijohen premisat për një autonomi të katër komunave, që, duke pasur një territor kaotik, mund ta bëjnë fakt të kryer implementimin e Asocacionit të Komunave Serbe. i cili ende nuk e ka të formësuar përmbajtjen e kornizës së tij ligjore. E gjasat janë që plani serb është të krijohet një situatë faktike në territor, që të imponojë më pas negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndaj, imperative sot është që SHBA dhe BE, të shprehen qartë se si ata e duan të funksionojë veriu dhe të arrihet normalizimi i tij. Albin Kurti e ka të qartë e të panegocuar idenë e tij se nuk do të lejojë një vakum pushteti atje, ndërkohë që serbët kërkojnë largimin e policisë së Kosovës si kërkesë e panegocueshme. Pikërisht në këtë rast e suazë, i takon SHBA-së e BE-së të propozojnë dhe shtyjnë një zgjidhje kompromisi që ta pranojnë të dy palët. Në radhë të parë Serbia, e cila dukshëm nuk kërkon asnjë prezencë të Republikës së Kosovës në veri. I takon SHBA në radhë të parë, që të kthehet urgjent e seriozisht nga Serbia, duke i kërkuar edhe Beogradit që të tërhiqet nga kërkesat e panegocueshme. E kur të ndodhë kjo, atëherë zbatimin e kompromisit jo thjesht ta monitorojë por ta zbatojë SHBA dhe BE. Duke marrë qoftë edhe në një administrim si i modelit të 1999 të veriut të Kosovës, por në asnjë rast të lejohet që ajo zonë të bjerë në duart e milicive të Vuçiçit. / Pamfleti