Kosova 1 Qershor 2023, 09:16

Nisin protestat në veri, serbët grumbullohen para komunave të Zveçanit dhe Leposaviçit; asnjë incident deri më tani

Shkruar nga Pamfleti
Nisin protestat në veri, serbët grumbullohen para komunave të
Pamje nga protestat në Veri

Protesta e thirrur sot në veri të Kosovës vijon pa incidente. Dhjetëra qytetarë serbë janë grumbulluar përballë selive të komunave në Zveçan dhe Leposaviç. 

Deri tani nuk raportohet për incidente dhe situata është e qetë. Sakaq Policia e Kosovës dhe ushtarët e KFOR janë duke monitoruar situatën. 

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri po vijon me punën e tij nga një tjetër vend jo nga godina komunale ku ka protestues serbë ashtu si në ditët e kaluara.

Mësohet se Zeqiri është duke punuar nga godina e Zyrës për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj komune.

Ai tha aktualisht po vlerësohet gjendja e sigurisë në komunë për të vendosur nëse do të shkojë në godinë apo jo.

Kërkesat nga serbët janë të njejta, dorëheqja e kryekomunarëve të rinj shqiptar që u zgjodhën më 23 prill dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Krahasuar me një ditë më parë, pjesëmarrja e protestuesve sot është më e ulët se dje. KFOR dhe policia kanë krijuar një perimetër sigurie para komunave për të shmangur çdo incident.

Shefi i misionit të NATO-s, Jens Stoltenberg tha  se dërgimi i trupave shtesë në veri të Kosovës nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga zgjidhja politike. Dy ditë më parë Stoltenberg bëri të ditur se NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në veri të Kosovës për të garantuar sigurinë sipas rezolutës së OKB-së. Madje, edhe një batalion është në gatishmëri nëse është nevoja.

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës. 

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Dje Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 

nisin protestat në veri