Kosova 1 Qershor 2023, 10:02

Thirrjet e dyshimta për protesta në veri, Sveçla: Mos bini pre e provokimeve!

Shkruar nga Pamfleti
Thirrjet e dyshimta për protesta në veri, Sveçla: Mos bini pre
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe thirrjeve të dyshimta për protestë në juf të Mitrovicës.

Përmes një postimi në Facebook ai shkruan se ky organizim po përhapet nga persona të panjohur me profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale. 

“I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime”, shkroi Sveçla.

Postimi i plotë: 

Qytetarë të dashur, thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale.

Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime. 

Qytetarët serbë janë mbledhur sot sërish për të protestuar pranë komunave në veri të Kosovës. Protesta po zhvillohet përkatësisht para selive komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Kërkesat nga serbët janë të njejta, dorëheqja e kryekomunarëve të rinj shqiptar që u zgjodhën më 23 prill dhe forcave speciale të Policisë së Kosovës. Krahasuar me një ditë më parë, pjesëmarrja e protestuesve sot është më e ulët se dje. KFOR dhe policia kanë krijuar një perimetër sigurie para komunave për të shmangur çdo incident. Deri tani situata paraqitet e qetë.

xhelal sveçla