
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim joformal me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kurti dhe Ahmeti shihen duke konsumuar një kafe, teksa edhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Takimi i tyre vjen pak para takimit që Kurti do të zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të dy liderët konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, i cili do të fillojë në orën 10:00. Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime me secilin nga liderët, duke filluar nga ora 10:30.
Më pas, do të ketë një takim trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin për zbatimin e aneksit të planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.