Kosova18 Mars 2023, 07:46

Sot takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, a do të arrihet dakordësia për planin franko-gjerman?

Shkruar nga Pamfleti

Sot takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, a do të arrihet

Ditën e sotme pritet të zhvillohet takimi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi do të mbahet në Ohër dhe pritet që të nisë rreth orës 10:00. Përmes një deklarate zyrtare nga BE, është bërë e ditur se të dy liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.

Fillimisht mësohet se përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime veçmas me secilin nga liderët, duke filluar nga ora 10:30. Më pas, do të ketë një takim trepalësh. Pjesë e takimit pritet të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi do të fokusohet në finalizimin për zbatimin e aneksit të planit evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë përfshinë propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?  

Neni 1: Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta. Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2: Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3: Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4: Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5: Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6: Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7: Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8: Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9: Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10: Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11: Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

A do të jetë ky plani përfundimtar apo do të pranohen ndryshime dhe propozime nga palët?

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se pala evropiane ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Ne do të flasim nesër 18 mars dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha Borrell.

Si paraqitet situata në Kosovë dhe Serbi para takimit Kurti-Vuçiç në Ohër?

Në Beograd, qytetarët serbë kanë zhvilluar protesta gjatë mbrëmjes së djeshme kundër marrëveshjes europiane që pritet të diskutohet nesër në Ohër. Protesta u organizua nga partitë e tjera parlamentare dhe pjesëmarrës ishin dhjetëra mijëra qytetarë. Ata kërkonin refuzimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dorëheqjen e Vuçiç dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi.

Ndërsa në Kosovë situata është paraqitur më e qetë këtë herë dhe nuk ka pasur kundërshtime apo protesta nga partitë opozitare.

A pritet që takimi të finalizohet me një marrëveshje? 

Para takimit, Vuçiç nuk është treguar optimist ndërsa dhjetëra protestues mbushën sheshin dhe i kërkonin që të mos pranonte marrëveshjen ose të jepte dorëheqjen. Në fjalimin e tij, Vucic paralajmëroi se Lufta e Tretë Botërore nuk është larg duke dhënë mesazhin se ‘do ruajnë Serbinë e plotë’ duke shtuar se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës është treguar optimist për takimin e sotëm duke e cilësuar si projektin më të madh të BE që nga Lufta e Dytë Botërore. Kryeministri Albin Kurti tha se nuk e mohon Asociacionin, por s’pranon që të imponohet si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme.

Arritja e një marrëveshje në pamje të parë mbetet shumë larg, por gjithçka mbetet për t'u parë nëse do të ketë “tym të bardhë” në fund të takimit./Pamfleti

 

takimi kurti-vuçiç ohër plan frano gjerman